Shumë shqiptarëve u kujtohet tranazhi që u bëri ish-kongresmeni amerikan Xhejms Trafikant (nga 1985 deri më 2002), për të mësuar përmendësh në anglisht parullën e rimuar antikomuniste të nazistëve në fund të Luftës II Botërore dhe të makartistëve në vitet 1950: Better dead / than red! (Më mirë i vdekur / se i kuq!). Por ish-krye-ekonomisti i FMN-së, profesor në Harvard, Keneth Rogof, e përmbys, në gusht 2007, këtë parullë me: Better red / than dead? (Më mirë i kuq / se i vdekur?).
Pa revolucion, por në mënyrë demokratike, shoqëritë e sotme të çideologjizuara, mund të vendosin të zbatojnë Marksin, për shkak të Hipokratit!
Opinioni i mëposhtëm i një prej figurave më të rëndësishme të mendimit ekonomik botëror, i botuar para dy muajsh, ka pasur një jehonë të jashtëzakonshme në mediat e huaja. Ka shumë komente për
prognozën e zymtë të Rogofit, që paralajmëron se shtrenjtimi i kujdesit shëndetësor të ekonomisë së tregut të lirë, mund të detyrojë shoqëritë e sotme të zhvilluara demokratike të vendosin të kalojnë në mjekësinë socialiste. Në fund të shkrimit të tij, autori shtron pyetjen hamletiane: Të jesh më mirë i kuq apo të vdesësh?
Me përkthimin në shqip të esesë së Rogofit, nuk do të ishte keq të bëheshin komente, pasi problemi është mjaft i mprehtë në shëndetësinë tonë publike e jopublike. (Vladimir Mustaqi)
A nuk do të përbëjë ndonjë ditë një sfidë të madhe për kapitalizmin bashkëkohor në mbarë botën, rritja e shfrenuar e kostove të shërbimit shëndetësor? Jam i mendimit se në një të ardhme jo të largët, mbështetja morale, sociale dhe politike për kapitalizmin do të vihet në dyshim, ndërkohë që të ashtuquajturat sisteme të shëndetit egalitar (barazimtar) ballafaqohen me
kosto gjithmonë e në rritje.
Rritja e të ardhurave, plakja e popullsisë dhe teknologjitë e reja në zgjatjen dhe përmirësimin e jetës, kanë çuar në shtrenjtimin e shërbimit shëndetësor në 3,5 për qind më shpejt se e ardhura e përgjithshme për shumë dhjetëvjeçarë në SHBA. Disa ekonomistë liderë llogarisin se shpenzimet për shëndetësinë, të cilat aktualisht përbëjnë 16 për qind të ekonomisë së SHBA-së, do të rriten deri në 30 për qind të PPB-së në vitin 2030, dhe, ka gjasa, të arrijnë në 50 për qind afër fundit të shekullit. Vende të tjera të pasura dhe me të ardhura mesatare, pavarësisht se shpenzojnë sot sa gjysma e nivelit të SHBA-së, nuk do të mbesin fort prapa në këtë kohë.
Vende në Evropë, si dhe shumë të tjera, mundën ti mbronin shtetasit e tyre deri-diku nga kjo rritje, duke shfrytëzuar arritjet teknologjike të SHBA-së. Gjithsesi, kohët e fundit, po ballafaqohen me trysni të rritjes së çmimeve.
A nuk shënoi fillimi i shekullit XXI fundin e të gjitha ideologjive të tjera me kapitalizmin embrional në Kinë, i cili ushtron trysni në forma shumë më të buta në Evropë dhe vendet e tjera? Problemi është se qëndrimet ndaj kujdesit shëndetësor janë krejtësisht të ndryshme.
Shumë shoqëri e shohin kujdesin shëndetësor si një të drejtë dhe jo si luks, kur shpenzimet mjekësore përbëjnë vetëm një përqindje jo të madhe të të ardhurave, siç ndodhte në mënyrë tipike 50 vjet më parë, kur një qasje egalitare ndaj kujdesit shëndetësor, si një e drejtë për gjithsecilin, konsiderohej diçka jo fort ekstravagante. Shpenzimet e drejtpërdrejta dhe të tërthorta, ishin relativisht të vogla dhe të përballueshme.
Ndërkohë që shpenzimet për kujdesin shëndetësor filluan të arrijnë deri në një të tretën e të ardhurave kombëtare, socializmi në shëndetësi fillon e bëhet një socializëm safi`: secilit sipas nevojave. Madje, kapitalizmi
autoritarist i Kinës do të ndiejë një ditë trysni, pasi popullsia fshatare, e cila sot ka një akses të vogël ndaj mjekëve dhe spitaleve, eventualisht do të shfaqë me zë të lartë pakënaqësinë e vet.
Tashmë shpesh mund të dëgjosh mbi rritjen e kostos së shërbimit mjekësor, kur bie fjala mbi prognozat buxhetore në të ardhmen, ndërkohë, pritet që në vitet në vazhdim kostoja e shërbimit mjekësor të popullsisë në plakje, gjithmonë e më tepër, të bëhet faktori bazë përcaktues i rritjes së shpenzimeve qeveritare. Por një shikim i kujdesshëm i këtyre prognozave, fjala vjen, nëse marrim Komisionin për Çështjet e Buxhetit të Kongresit Amerikan, tregon se plakja e popullsisë është vetëm një pjesë e problemit dhe jo pjesa më e madhe e tij. Çështja e vërtetë ka të bëjë me atë se, a do të kenë ndërmend shoqëritë, që edhe më tej tu sigurojnë pleqve akses të barabartë në teknologjitë e reja në mjekësi.
Rëndësia në rritje e shërbimit
mjekësor individual është problemi i vërtetë dhe që shfaqet në horizont dhe që kërcënon të ashpërsojë pakënaqësinë e sotme. Në pjesën më të madhe të historisë bashkëkohore shëndeti publik relativisht jo i shtrenjtë, për shkak të furnizimit me ujë të pijshëm të pastër dhe vaksinimi rutinë, ishte faktori kryesor në rritjen e jetëgjatësisë. Masat për kujdesin shëndetësor publik nxorën në pah rëndësinë e kujdesit shëndetësor individual.
Por, sot balanca është zhvendosur. Operacionet në zemër janë një faktor i madhor, që rrit jetëgjatësinë në vendet e pasura. Teknikat e sofistikuara të diagnostikimit me rëntgen, të tilla si tomografia kompjuterike (CT scans) mundësojnë përcaktimin e shumë sëmundjeve kanceroze qysh në atë stad, kur ato mund të kurohen ende.
Disa kërkues në farmakologji profetizojnë se në përparimin në vazhdimësi për studimin e gjenomit njerëzor (human genom) mjekët së shpejti mund të parathonë shfaqjen e
sëmundjes 15-20 vjet më parë se të avancojë dhe të fillojnë trajtimin profilaktik të menjëhershëm. (Duke marrë parasysh atë që profetizojnë disa ekspertë se së shpejti njeriu do të rrojë me një ritëm të zakonshëm 110-115 vjet në mesin e shekullit, pa dashur të shtrohet çështja se çfarë do të bëhet me një dukuri të tillë sociale, si martesa, por më mirë këto përsiatje do ti le për një ditë tjetër).
Përveç uljes së vdekshmërisë, teknikat e reja mjekësore mund të përmirësojnë dukshëm cilësinë e jetës. Në SHBA bëhen rreth 250.000 operacione në vit, për zëvendësimin e këllqeve. Pa mbushur të 60-at, pacientët bëhen më të rëndësishëm, pasi nyjëtimet e reja artificiale u lejojnë të bëjnë një mënyrë jetese më aktive.
Kostoja mesatare e operacionit të këllqeve arrin në 6.000 USD, sa e njëmijta e kostos së supozuar të transplantimit të dorës bionike, syrit dhe dy duarve, sikurse demonstrohej në shown televiziv artistik popullor të
mesit të viteve 1970 Njeriu gjashtë-milionë-dollarësh. Natyrisht, pacientët me transplante këllqesh nuk fitojnë shpejtësi mbinjerëzore, por dhe fuqi dhe vizion nuk fitojnë hë për hë. Nëse zyrtarët e Tour de France mendojnë se ata tani kanë probleme të mëdha për shkak të përdorimit të steroideve, le të shohim se çfarë do të ndodhë pas dhjetë vjetësh.
Në parim, përdorimi më i madh i mekanizmave të tregut, mund të ngadalësojë ose madje të ulë përkohësisht kostot e kujdesit shëndetësor. Por vetëm deri në një kufi të caktuar. Koha po dëshmon se shoqëria harxhon pjesë gjithmonë e më të mëdha të të ardhurave të saj për mjekësi, në krahasim me shpenzimet për ushqim, kjo në varësi të pasurisë të vendit.
Shpenzimet e mëdha, nga ana tjetër, çojnë në përshpejtimin e teknologjive rinovuese. Kjo gjë rrit mirëqenien universale në perspektivë, por edhe rëndon pabarazinë ekzistuese dhe mosmarrëveshjet.
Unë nuk
po gjykoj për minuset e kapitalizmit në kujdesin shëndetësor, por vetëm po paralajmëroj se mbështetja do të jetë e dobët, shumë e vogël se, fjala vjen, mbështetja e sotme e globalizmit. Shumë vende i varin shpresat kryesisht në kontrollin dhe ndërhyrjen dhe u japin fare pak stimuj pacientëve dhe mjekëve për gjetjen e zgjidhjes racionale. Gjithsesi, mbetet çështje e hapur nëse kostoja gjithmonë në rritje e kujdesit shëndetësor do ta çojë kapitalizmit e tregut, aktualisht të lirë (edhe më të lirë) drejt një procesi të anasjelltë, gjë që do ta çojë drejt asaj që pjesa më e rëndësishme e ekonomisë do të zhvillohet sipas ligjeve të socializmit. Disa shoqëri mund të vendosin se më mirë të jesh i kuq, se i vdekur.
* Profesor i Ekonomiksit dhe Drejtimit Publik / Shtetëror (Public Policy) në Universitetin e Harvardit dhe ish-Krye-ekonomist i FMN-së / Përktheu për Shekullin: Vladimir Mustaqi