1 Feb 2006 01:19
[AlbClub] Pengu i Gjeografise
Ardian Vehbiu <ardian_vehbiu <at> yahoo.com>
2006-02-01 00:19:18 GMT
2006-02-01 00:19:18 GMT
*** AlbClub Discussion List ***
PENGU I GJEOGRAFISË
Që në kohë të Rilindjes, diskursi për natyrën shqiptare u përftua si tekst themeltar i mitit kombëtarist, çka do të pritej nga një lëvizje elitare që kishte për synim ringjalljen e kombit. Nëpërmjet fjalës solemne të Naimit, Çajupit, Fishtës, Asdrenit dhe romantikëve të tjerë, gjeografia kombëtare erdhi e u shndërrua në një super-metaforë të atdhedashurisë, aq sa vargjet e njohura të Bagëti e Bujqësisë për malet e Shqipërisë, lisat e gjatë, fushat e gjëra me lule, lumenjtë e kulluar, pyjet e gjelbëruar e vendëthit e bekuar kanë zënë vend tanimë në pavetëdijën kolektive të shqiptarit post-Rilindas. Nëse në penën e Naimit ekzaltimi i natyrës mpleksej edhe me etosin bektashist-panteist, ose idenë sublime të kudogjendjes së Perëndisë, të tjerë ideologë të shqiptarizmit e himnizuan gjeografinë për të rehabilituar paganizmin si përgjigje shqiptare ndaj padrejtësive të historisë
e për të afirmuar unicitetin shqiptar aq të domosdoshëm. Një përvetësim i tillë tipik romantik i natyrës, të cilin Rilindësit tanë pjesërisht e gjetën të gatshëm në romantizmin evropian e pjesërisht e sendërtuan nga hiçi për nevojat e programit të tyre kulturor, megjithatë nuk ka mbërritur në ditët tona i pacenuar, as është riprodhuar në tërësinë e vet e jashtë interesave të ndryshme ideologjike dhe ekonomike të grupeve e të forcave që kanë dashur ta përdorin. Me kalimin e viteve e të dekadave ky diskurs, si të thuash, e ka humbur pafajësinë, duke u ideologjizuar përfundimisht.
Sot pakkush guxon të dyshojë në qëllimet e mira e në sinqeritetin e kujt vend e pa vend ligjëron në publik për perlat, hijeshitë e vlerat e paçmuara të natyrës shqiptare, madje edhe kur kjo kryhet thjesht në emër të nxitjes ose të përligjjes së shfrytëzimit ekonomik të burimeve dhe të bukurive natyrore. Lëvizja ekologjike ose ambientaliste, e gjallëruar kohët e fundit krahas me degradimin e pashembullt të mjedisit në Shqipërinë e 15 vjetëve të fundit, e ka bërë të vetin patosin romantik naimian, duke ia kundërvënë forcërisht natyrën epsheve ekonomike aq prozaike të neokapitalizmit shqiptar; madje edhe duke propozuar restaurimin e saj si alternativë ndaj vandalizimit të gjeografisë shqiptare prej sipërmarrjeve ndërtuese dhe në përgjithësi materializmit të përçmuar që po duket të sundojë mendjet e shqiptarëve post-totalitarë. Të tjerë zëra gjerësisht të pranishëm në mediat, që nuk nisen doemos nga konsiderata ambientaliste, promovojnë me të madhe e ndonjëherë besueshëm zhvillimin e turizmit si rrugëdalje nga bataku ekonomik ku ka rënë Shqipëria, çka parakupton edhe nevojën për një lloj ngrirjeje ose edhe anulimi të zhvillimit ekonomik të vendit, në emër të ruajtjes të virgjërive ekzistuese e të restaurimit të virgjërive të humbura por vetëm për ti prostituuar pastaj lirisht në tregjet e industrive të qejfit të së tjerëve. Edhe të parët edhe të dytët, megjithëse lodrojnë me argumente në thelb të peshuara, i referohen në analizë të fundit një natyre shqiptare që tanimë kryesisht mbijeton në fantazitë romantike të atyre që atdhetarizmin e përdorin më shumë për tu droguar, sesa për të vepruar.
Brezi që i jep sot tonin ligjërimit publik në Shqipëri është formuar përgjithësisht në zboret kulturore të regjimit totalitar në një kohë kur ideologët e atij regjimi po e braktisnin internacionalizmin proletar dhe përkushtimin ndaj revolucionit global, për tu fortifikuar në transhenë e sprovuar të kombëtarizmit. Atdhetarizmi gjeografik me të cilin jemi mëkuar vite me radhë vërtet e kishte një fillesë të pakundërshtueshme në vargjet lapidare të romantikëve të dikurshëm, por gjithsesi nuk mund të rroket në plotësinë e vet pa mbajtur parasysh kontekstin e delirit autarkik të Hoxhës & Co. të cilët këmbëngulnin që ta paraqitnin Shqipërinë e tyre si kurorëzim logjik e të detyrueshëm të historisë së shqiptarëve në shekuj. Çka tërheq vëmendjen sot nga imazheria përpunuar në oficinat ideologjike të regjimit gjatë viteve gjashtëdhjetë e shtatëdhjetë, është rikthimi i papritur në simbologjinë zyrtare i malit dhe i malësorit si atribute parësore, madje primordiale të shqiptarit; ndërmarrë pikërisht kur inxhinierët e kuq po i jepnin dorën e fundit bonifikimit ideologjik brutal të malësive në vend. Qëndresa e regjimit të Hoxhës ndaj presioneve të rusëve e të satelitëve të tyre u paralelizua e u amplifikua në narrativat historike të qëndresës heroike të Skënderbeut ndaj Portës së Lartë, në një kohë që Mali erdhi e u imponua vetvetiu si vend gjeometrik i lirisë shqiptare, krahas me malësorin kreshnik si titullar të kësaj lirie, rebelimin si refleks të karakterit kombëtar, çetat e kaçakëve e të kusarëve si embrione të shpirtit revolucionar dhe epikën e mbijetesës në intersticet e perandorive të së keqes. Shembull i qartë i kësaj mistike të rizbuluar do të ishte poema Përse mendohen këto male, e një Kadareje poet romantik pak ekspresionist që ende fluturonte lart në krahët e suksesit të Gjeneralit të ushtrisë së vdekur; si në një vepër ashtu edhe në tjetrën, shkrimtari rrekej të ravijëzonte një shqiptari krejtësisht të pareduktueshme, rezultat sa të hidhur e dramatik, aq edhe krenar të shekujve madje mijëvjeçarëve të qëndresës ndaj armikut.
Mirëpo totalitarizmi nuk mjaftohej aspak me mistikën Rilindëse të gjeografisë si faltore natyrore të paganizmit ilir e të Baba Tomorrit si Olimp të panteonit shqiptarist. Fillesa Rilindëse, në një farë mënyre, do të kundërpeshohej nga entuziazmi aq sovjetik për natyrën filtruar nga puna e njeriut të ri homo faber dhe transformuar nëpërmjet gjestesh korale të masave tanimë të çliruara arat e mbjella me grurë, tarracat, hapja e tokave të reja, shpyllëzimet, pyllëzimet, rezervuaret, kanalet vaditëse, ndërzimi artificial, vaksinimi i pulave, mbjellja e plepave, kubikët e misrit, fermat e lepujve, tharja e kënetave, lufta kundër mushkonjave, vjelja e ullinjve, orizoret. Industrializimi stalinist i vendit skishte nevojë për adhurimin e gjeografisë si të tillë ose jashtë marrëdhënieve të natyrës me punën; prandaj edhe energjia atdhetariste e miteve Rilindëse erdhi duke u kanalizuar në mistikën e re të pasurive natyrore të nëntokës e të mbitokës: rezervave hidrike, kromit, ferrokromit, nikelit, hekur-nikelit, piriteve, fosfateve, silikateve, rërave bituminoze, bakrit, naftës, linjitit. Poetët përnjimend u thurnin këngë oxhaqeve dhe kapanoneve industriale, barakave prej pupuliti, plehut kimik, fisave oksidrike e shtyllave të tensionit të lartë; piktorët i dhuronin publikut artdashës peizazhe të kullave të ftohjes, depove të karburantit, sondave të shpimit, traseve, llixhave, puseve arteziane e stacioneve të pompimit; dhe në përgjithësi diskursi gjeografik në mediat organizohej rreth domestikimit të natyrës, jo natyrës vetë.
Në një kuptim, shfryrja e bombastikës së industrializimit në ligjëratën publike pas fiaskos së plotë të politikave ekonomike totalitare dhe stazës në kapërcyell nga totalitarizmi në post-totalitarizëm nuk mund veçse të maskohej duke iu rikthyer mistikës së garantuar të romantikës Rilindëse, e cila e adhuronte natyrën shqiptare në vetvete e për vetveten, pa ia pretenduar transformimin as lypur shërbimet dhe visaret nga mademet. Propaganda totalitare prej dekadash kishte ushqyer krenari të pashoqe në mendjet e shqiptarëve për ndërtimin e socializmit, arritjet në çdo fushë të jetës, historinë unike e të pashembullt. Kjo krenari e mbetur pezull do tu falej tani vlerave rifuxhio të natyrës shqiptare të pacenuar, ose pikërisht atyre vlerave që nuk ishin përdhosur as shpërdoruar as kontaminuar nga totalitarizmi; në kundërvënie të hapur me adhurimin sovjetik të druve frutorë, komplekseve të sharrave, hekurudhave, vagonave me mineral, drenazhimit dhe hidrovoreve. Madje natyra e virgjër do të simbolizonte tani e tutje çka i kishte bërë ballë, pasivisht por bindshëm, transformizmit të industrializuesve të marrë të Hoxhës.
Për fat të keq, mistika neoromantike që ia ushqen rrënjët lëvizjes së sotme ambientaliste dhe preokupimeve absolutisht të ligjshme për mjedisin, nuk po duket në gjendje të përpunojë një ligjërim të tillë publik që ti përshtatet realisht gjeografisë së vendit. Në Shqipërinë e tanishme natyra lëngon e varrosur nën karkasat e utopive të djeshme totalitare transformuese, çka jo rrallë i jep peizazhit ndërqytetës pamjen ngjethëse të një planeti braktisur në panik prej banorëve. Zona të tëra janë rrëgjuar përfundimisht, duke u katandisur në qimitere të ëndrrave dhe halucinacioneve ekonomike të voluntaristëve të Enverit fabrika, uzina, kombinate, parqe industriale, stacione makinash e traktorësh, depo, magazina dhe oficina gjysmë të shkatërruara; toka të lëna djerrë, të rikënetëzuara ose të gërryera nga erozioni; faqe mali të shkara e të rrëshqitura; pyje të prera e të shkrumbuara ose ku ripyllëzimi prej kohësh ka dështuar; miniera të shterrura ose gjysmë të fundosura, tunele të plaçkitura të ushtrisë e bunkerë dingas me të pëgëra gjithfarësh; hieroglife të frikshme strukturash që madje u është harruar funksioni dhe arsyeja. Shqipëria e djeshme rëndon mbi kurm të së sotmes njëlloj sikurse rëndon kultura totalitare në mendjet e post-totalitarëve. Përtej retorikës ambientaliste për qiejt e kaltër, ujërat e kthjellëta dhe lumenjtë e kulluar, mjedisi që rrethon oazet urbane të neokapitalizmit të sotëm është një mjedis i kolonizuar, madje i definuar nga rrënojat e së djeshmes.
Sikur të mos mjaftonte kjo katastrofë, edhe post-komunizmi i është paraqitur gjeografisë shqiptare para së gjithash si një forcë demoniake prodhuese shkatërrimesh të mëtejshme, pse tani vendin utopisë industrializuese të dikurshme ia ka zënë afshi ndërtimtar ose betonizimi i pamëshirshëm i trojeve kombëtare; dhe shoqëria e konsumit është instaluar në Shqipëri nëpërmjet prodhimit dhe shpërndarjes së pakontrolluar të plehrave e të mbetjeve të ndryshme urbane nga njëra anë, e të ndotjes së pashembullt të ajrit në qytetet prej automjeteve dhe pluhurit të kantiereve, nga ana tjetër. Nëse totalitarët e shihnin natyrën si objekt për tu riformuluar themelisht nëpërmjet punës, për neokapitalistët sot i rëndësishëm është pushtimi i trojeve, gardhimi, riformulimi i vrazhdë dhe sistematik në kontekstin e përvetësimit të hapësirës publike, si shprehje e një procesi qytetërues të përdhunshëm që përfton shëmti në mjedis dhe në shpirt. Në një kulturë ku mediat po i zëvendësohen gjithnjë e më tepër realitetit, shqiptarët përsëri mësohen ta konsumojnë natyrën e tyre në vargjet e detyrueshme të Naimit ose në psalmet tanimë dalë boje të fesë kombëtariste, për ta anihiluar pastaj krejt nëpërmjet veprimtarisë së tyre mbijetuese.
Në Shqipëri ideologjitë, madje edhe ato të pafajshmet e fëminoret, e kanë penguar dhe vijojnë ta pengojnë dialogun normal të qytetërimit material me gjeografinë. Fëmijëve shqiptarë në shkolla gjithnjë u ofrohen deri në torturë sheqerkat e sigurta të bregoreve bukuroshe, edhe pse gjyshërit e tyre këto bregore i morën mbarë për ti shpyllëzuar e për të ndërtuar terraca, ndërsa baballarët po i modelojnë e betonojnë zellshëm për vila, bujtina, belvedere, restorante, hotele gjahu e taverna. Ambientalistët sreshten së përpunuari ligjëratat e tyre me tone spirituale quasi fetare, shpesh të papranueshme sidomos në kontekstin politik (Continue reading)
RSS Feed