Një vështrim mbi librin “Rruga për në Mekë”
2008-12-23 13:36:15 GMT
|
Një vështrim mbi librin “Rruga për në Mekë”
Ajni Sinani
Çdokush që e nis leximin e librit “Rruga për në Mekë ”, thjesht për kërshëri, do të vërejë se kjo kërshëri shumë shpejt do të shndërrohet në habi, mahnitje dhe së fundi në magjepsje. Do të vazhdojë vrullshëm leximin e këtij libri dhe sa më shumë do tentojë fundin e librit, aq më shumë do dëshirojë pambarimin e tij. Pas përfundimit të tij, do të vetëdijesohet se, pa e ditur edhe vetë ai, paska ekzistuar një vepër e tillë e mrekullueshme letrare, që ai prej kohësh e ka pritur me përmallimin dhe mallëngjimin e një diçkaje të dëshiruar për ta qetësuar dhe për ta përmbushur plotësisht shpirtin e tij, kërkesë e përhershme, gjithnjë e në rritje, e një shpirti që synon qielloren. Literatura islame, të cilën e disponojmë në gjuhën shqipe, arrin ta ushqejë këtë kërkesë të çdo shpirti të etur, por jo në atë masë dhe në atë shkallë sa mund ta bëjë një gjë të tillë kjo vepër e vetme. Lexuesi gjen vepra të zhanreve të ndryshme: letrarë, historikë, filozofikë, religjiozë, publicitarë, aventureskë etj. Por vështirë se do t`i gjente të gjitha ato të ndërthurura magjishëm në mënyrë kaq të harmonishme sesa në këtë vepër. Ai, në vitet e rinisë së tij të hershme e më pas në ato studentore, e ka shuar kërkesën e etshme të shpirtit të tij me kryeveprat e letërsisë botërore të shkrimtarëve të mëdhenj: Tolstoit, Balzakut, Gëtes, Pushkinit, Stendalit, Çehovit, Dostojevskit, Heminguejit, Drajzerit, Gollsuorthit, Kafkës, Kamysë, Xhojsit, Buxatit, Markesit, Moravisë etj, etj, por pas leximit të këtij libri, mëson se i paska munguar diçka e dëshiruar prej kohësh dhe se, në rininë e tij, paska qenë i privuar pa e ditur edhe vetë nga leximi dhe përjetimi i një libri të tillë, të cilin do të dëshironte tash ta kishte mikun e tij të moçëm. Autori i kësaj vepre i takon një natyre të veçantë krijuesish: shkrimtar intelektual me kulturë të lartë letrare, eseist, filozof, shkrues i mendimit kritik me intuitën prej njohësi të saktë, vrojtues i vëmendshëm, prozator me nerv subtil dhe sens të rrallë përshkrimi dhe analizimi, bohem rebelues, intelektual i pakompromis, individualitet i spikatur, hulumtues i realitetit të përditshëm të cilin e përshkruan me gjerësi dhe thellësi, krijues imagjinativ kulminant, përdorues i një forme ekspresive përmes një rrjeti të konceptuar mirë figurativisht që kap të pakapshmen, impresionist i fuqishëm që impresionin e vet ia injekton edhe lexuesit duke e lënë nën magjinë e ndikimit të tij dehës për një kohë të gjatë, tërheqës, i afërt për t`u kuptuar, i figurshëm, i fuqishëm. Vepra e Asadit, e shkruar më 1952, është një perlë e mrekullueshme e letërsisë islame, një ndërmarrje e guximshme e një intelektuali perëndimor që kthehet në identitet: “A nuk ka qenë ardhja ime në këtë vend, në realitet, ardhja në shtëpinë e zemrës që e ka zbuluar shtëpinë e vet të vjetër mbi një varg mijëra vjetësh dhe tash e njeh këtë qiell, qiellin e vet me gëzimin e dhembshëm? ” Ajo që Leopold Weiss gjeti në kërkimin e vet shpirtëror ishte feja natyrore e njeriut, në kërkim të së cilës kanë qenë edhe mjaft mendimtarë të tjerë të mëdhenj: Kanti, Tolstoi, Jaspersi, Garodi etj. “Vetëm tash shoh sa e thjeshtë dhe e drejtë, përkundër gjatësisë së vet, ka qenë rruga ime - rruga ime nga bota që realisht nuk e posedoja, në botën njëmend time. ” - thotë autori i veprës. Në këtë vepër, kapitujt edhe pse në dukje janë të pavarur, asociativisht qëndrojnë brenda një boshti unik. Autori me një mjeshtëri të rrallë ka ndërthurur, rreth linjës kryesore të veprës që është rrugëtimi i tij për në Mekë, një mori ngjarjesh konkrete historike, udhëtimesh, vëzhgimesh, kujtimesh dhe meditimesh që formojnë një botëkuptim unik për jetën dhe besimin. Ky jetëshkrim shoqërohet me peizazhe, me një mozaik nuancash koloristike dhe ese kulminante, që janë faqet më të bukura të këtij libri dhe që në mënyrë harmonike janë shtrirë gjatë gjithë librit. Duk e shikuar veprën në tërësi mësojmë se objekt frymëzimi për autorin bëhet gjithçka që e rrethon: njerëzit, bota e tyre shpirtërore, tiparet karakteristike të pamjes së tyre fizike, veshjet tradicionale, fenomenet e natyrës, shkëlqimi vezullues i diellit, e mbi të gjitha shkretëtira e pafund. Ai e çmonte shumë botën e jashtme, por fjalën e fundit ia linte botës së brendshme. Autori ndjen nevojën të frymojë me frymëmarrjen e njeriut të rëndomtë, me jetën e tij të vrazhdë dhe të vështirë, i gatshëm për t`u ballafaquar me sfidat më të egra të jetës dhe ekzistencës. Brenda këtij vizioni sfidash e përplasjesh, frymëzimi i autorit vibron ethshëm. Përshkrimet e tij lakonike bëjnë që ai të shquhet si një vëzhgues dhe përshkrues i rrallë. Në çdo përshkrim ai paraqitet si artist i një figuracioni të kondesuar dhe racional, me akorde të gjalla koloristike që është edhe e veçanta e tërë opusit kreativ të autorit dhe aorta kryesore e artit të tij. Të gjitha këto e kanë vulosur imazhin e tij si një stilist të përkryer dhe brilant dhe i japin një sharm të posaçëm kësaj vepre. Për të dëshmuar forcën e jashtëzakonshme të tij si vëzhgues dhe përshkrues i rrallë, po sjellim disa pasazhe që ofrojnë një imazh tepër të perceptueshëm të shkretëtirës dhe që e justifikon plotësisht vlerësimin, midis mjaft vlerësimeve të tjera të mediumeve të njohura botërore, që këtij autori ia ka bërë St. Louis Post Despatch: “Asadi është mistik. Mjaft paragrafë te ai kanë një cilësi të veçantë jashtëtokësore”. Autori përshkruan, në sajë të përvojës së vet personale, shkretëtirën e pafund, si një udhëtar i pasionuar, i guximshëm deri në marrëzi, deri diku kapriçoz, që nuk ndalej edhe para vështirësive, që mund ta rrezikonin seriozisht dhe ekzistencën e tij, për të shkelur madje edhe në ato vende ku kurrë më parë nuk kishte shkelur këmba e ndonjë të bardhi. Po ofrojmë disa pasazhe: “Rrafshirë e pafund, e shurdhër, e zbrazët saqë dukej jo që nuk po rrjedh, por po bie drejt horizontit. Kurrfarë zëri, cicërime, zukame, madje edhe era rrëshqet poshtë, pa zë, mbi zbrazëti. Kjo nuk është heshtja e vdekjes, por më shumë heshtja e diç të palindur, të asaj që ende nuk është gjallëruar, heshtja para fjalës së Parë.” “Deti mashtrues, valëvitës ranor, që era e ka formësuar në bregore të buta, shkëlqen nën diell zbehtë –portokalltë, si pergament mjaft i vjetër.” Shkretëtirë e zbrazët, mezi e perceptueshme nën dritën e yjeve, por aq afër sikur rrahjet e zemrës tënde… Era shkretinore rrëshqet me zërin e butë murmurues, prej askund, askund…” “Bregoret ranore nën rrezet e diellit perëndues shkëlqejnë si masat e agatit, që derdhen në ngjyrat e ylberit në hijet gjithnjë të ndryshueshme të pastalit….” Dhe kështu lexuesi ndjen se, gjatë leximit, përjeton dhe bëhet bashkudhëtar i autorit në “shkretëtirën e pafund, nën dritën vezulluese, shkëlqyese, vibruese të përcëllimit diellor ”, duke ecur nëpër “shkurret e bardhit të verdhë…, gajushave gunga – gunga të hamdit gjarpërues, nën zbehtësinë çelikore të qiellit, pa kurrfarë lëvizje apo zëri; “nën vetminë përvëluese shkretinore ”, “nën qiellin hyllësor të natës, ku vijat e buta të bregoreve ranore ndriçojnë nën shkëlqimin yjor ”; ku “etja dhe heshtja e vrazhdë është mbështjellë me pëlhurën e vet të vetmisë ”; dhe i bëhet se dëgjon “çukurmimin e butë të hapave të devesë ”, “krikëllimën e vazhdueshme të rërës përcëlluese nën këmbët e kafshëve ”, “ritmin e të ecurit të devesë që më tepër e thekson se sa e prish heshtjen ”, “oshëtimën e resë së rërës vorbulluese që paralajmëron shtrëngatën ranore ”, e mbi të gjitha i bëhet se dëgjon: “këngët e njerëzve të shkretëtirës si frymë shkretëtire të kapura në zërin njerëzor, të menduara jo për të shkaktuar disponim, por për t`ua përkujtuar njerëzve përvojat e tyre shpirtërore e që janë të lindura shumë herët prej atmosferës shkretinore, ritmeve të erës dhe jetës nomade, ndjenjave të hapësirave të gjera dhe meditimeve mbi tanishmërinë e amshueshme ”. E lexuesit natyrshëm i vjen ndërmend pyetja: Nga buron i gjithë ky frymëzim poetik i autorit në përshkrimin e shkretëtirës? Përgjigjen e jep vetë autori : “Shkretëtira është e zhveshur dhe e pastër dhe nuk njeh kompromise. Ajo i fshin prej zemrës së njeriut të gjitha fantazmat e bukura, që do të mund të shërbenin si maskë për mendimin lakmues dhe e bën të lirë që t`i dorëzohet Absolutit, që nuk ka të ngjashëm, i Cili është më larg nga e gjithë ajo që është larg, kurse më afër nga e gjithë ajo që është afër ”. “Prej kur njeriu ka filluar të mendojë, shkretëtira ka qenë djepi i të gjitha besimeve në Një Zot. Njerëzit kanë pasur njëfarë parandjenje të ekzistimit dhe vetëmsisë së Tij, për shembull në nocionin e vjetër grek të Moirës, me fuqi të pakufishme mbi zotat olimpikë, por megjithatë konceptet e tilla asnjëherë nuk kanë qenë më tepër se ndonjë ndjenjë e paqartë – derisa njohuria nuk u ka ardhur me vërtetësinë shkëlqyese, njerëzve të shkretëtirës dhe prej shkretëtirës. Nga shkurrja gjëmbore përvëluese në shkretëtirën Midian u dëgjua zëri i Zotit drejtuar Moisiut, në shkretinë e shkretëtirës judaike Jezu Krishti e pranoi porosinë për Mbretërinë e Zotit, kurse pikërisht në Shpellën Hira, në kodrinat shkretinore në afërsi të Mekës, i erdhi edhe thirrja e parë Muhammedit nga Arabia.” Po kush është Muhammed Asadi (apo Leopold Weiss, siç quhej më parë)? Leopold Weiss, është lindur më 1900 në Llavovo, që atë kohë hynte në përbërje të Austro – Hungarisë. Në vitin e njëzetë e dytë të jetës së tij, si korrespondent i disa gazetave gjermane e veçanërisht i gazetës së njohur: “Frankfurter Zeitung ”, filloi udhëtimet e veta të gjata në vendet islame. Ishte periudha vetëm e fillimeve të jetës aq të bujshme të odiseadës së tij. Hebre, euridit me frymë subtile, ai iu afrua Islamit dhe botës muslimane hap pas hapi. Ai u dallua për një talent të jashtëzakonshëm të vrojtimit dhe mënyrën origjinale të shikimit të problemeve. Pas disa vjet udhëtimesh gjithëpërfshirëse nëpër Lindjen e Mesme, më 1926, u bë musliman. E gjithë kjo ka qenë shumë më tepër se sa përshtatje e thjeshtë e europianit në bashkësinë muslimane në të cilën jeton. Ai edhe pse i lindur dhe i edukuar në Perëndim, pa kurrfarë rezerve shpirtërore, u identifikua plotësisht me botën muslimane. Si çelës për të hyrë në labirintin e kësaj vepre metafizike,do të mund të shërbente ky pasus i shkëputur nga vepra: “Sa të vështirë e kemi të arrijmë realitetin. Ne gjithnjë përpiqemi ta grabisim, por, ai nuk dëshiron të jetë i grabitur. Vetëm atje ku ai e ngadhënjen njeriun, ai vetë i dorëzohet”. Për të kuptuar më mirë guximin e këtij intelektuali, të cilin kërkimi për gjetjen e së vërtetës e çoi në përqafimin e fesë Islame, le t`i rikthehemi fëmijërisë së tij të hershme. Ajo ka qenë një fëmijëri e lumtur që siç thotë edhe vetë autori: ‘më mbush me kënaqësi edhe në kujtesë’. Në pajtim me traditën e familjes së tij, ai kish studiuar me mësues privatë në shtëpi baza të themelta nga shkencat religjioze hebraike. Prindërit e tij me fjalë kishin shprehur përkatësinë e besimit religjioz, që kishte trajtësuar jetët e të parëve të tyre, por kurrë nuk kishin bërë as përpjekjen më të vogël për ta harmonizuar jetën e vet praktike ose madje etikën dhe mendimet e veta me ato mësime. Ideja e religjionit ka qenë reduktuar në ritualin e mërzitshëm të atyre që kanë lidhur trashëgiminë e vet religjioze me shprehinë. Babai i tij, në rininë e vet të hershme, kishte ëndërruar t`i kushtohej shkencës, por kurrë nuk kishte qenë në gjendje ta sendërtonte atë ëndërr dhe ishte dashur të kënaqej dhe të bëhej avokat, duke e ndërprerë traditën rabinore, që në familje shtrihej gjatë disa gjeneratave. Gjyshi i tij kish qenë rabin ortodoks, e tërë jetën e vet kishte studiuar në kohën e lirë matematikë dhe astronomi dhe kishte pasur miqësi afatgjatë me kryepeshkopin grek, me të cilin bisedonte për postulatet metafizike të religjioneve të tyre. Babai i nënës, bankier i pasur, duke poseduar tokë për pushimin e familjes, i kish mundësuar atij që në fëmijëri të udhëtonte, me prindërit e vet, nëpër vende të ndryshme: Vjenë, Berlin, Alpet e Çekisë, në Detin Verior dhe atë Baltik . Në moshën 13 vjeçare, ai kishte mundur jo vetëm të lexonte me lehtësi hebraisht, por fliste rrjedhshëm gjuhën aramite. Ka studiuar Dhiatën e Vjetër në origjinal dhe komentet e Talmudit. Efekti i atyre studimeve ishte i kundërt nga ai për çka ato kishin qenë të destinuara. Përkundër gjithë atij lulëzimi të urtisë religjioze, së shpejti tek ai u zhvillua ndjenja e përbuzjes ndaj shumë postulateve të besimit hebraik. Zoti, sipas Dhiatës së Vjetër dhe Talmudit, çuditërisht ishte i preokupuar me fatin e një populli të veçantë, hebrenjve. Zoti paraqitet më tepër si hyjni fisnore e një “populli të zgjedhur.” Pasi religjioni për të nuk kishte domethënie më të madhe se disa rregulla kufizuese, shpejt u largua nga ai. Filloi të studionte historinë e artit dhe filozofinë në Universitetin e Vjenës. Ishte koha kur në Evropë vlerat etike, me të cilat ajo ishte mësuar me shekuj, u patën bërë amorfe dhe ekzistonte një vakum shpirtëror dhe mungesë e çfarëdo standardeve të sigurta morale. Labiliteti etik ishte duke çuar drejt kaosit moral. Thellë në vetvete ishte i hidhëruar, i pakënaqur, duke mos ditur se pas çkaje synonte realisht, por njëkohësisht i bindur, me egërsinë absurde të rinisë se këtë një ditë do ta mësonte. Vëllai i nënës së tij, psikiatër, një prej nxënësve të parë të Frojdit, e futi në botën e re të psikanalizës. Nxitja e ideve frojdiane fillimisht ka qenë tepër dehëse. Kaloi shumë net duke dëgjuar diskutime ndërmjet disa prej pionierëve të rinj të psikanalizës, si: Alfred Adleri, Hermann Steckli dhe Otto Grossi. Por përfundimet e psikanalizës e lanë të pakënaqur. Ai ishte i shqetësuar nga arroganca intelektuale e shkencës së re, që tentonte t`i reduktonte të gjitha fshehtësitë e Unit të njeriut në vargun e reaksioneve neurogjenetike dhe që nuk dëftente kurrfarë rruge të re drejt një jete më të mirë. Dëshpërimi i hidhur i Spenglerit, relativizmi moral i Niçes dhe nihilizmi shpirtëror që nxiti psikanaliza konsideroheshin si rebelim kundrejt rreptësisë së theksuar dhe konvencioneve boshe. Pakënaqësia dhe jorehatia e tij u rritën dhe një ditë vere, më 1920, në moshën njëzet vjeçare, u përshëndet me Vjenën dhe u nis në Pragë për të filluar jetën e tij të mëvetshme. Ai ka ndier dëshirën dhe nevojën “që të kapet drejtpërdrejt me jetën, të hyjë në të pa kurrfarë mbrojtje artificiale me kujdesin e paramenduar, që dëshirojnë ta ndërtojnë rreth vetes njerëzit me shpirt të kthyer nga siguria, duke dëshiruar që ta gjejë vetë hyrjen drejt rregullimit shpirtëror, që e ka ditur se duhet të ekzistojë, po të cilin ende nuk kishte mundur ta kuptonte” . Kjo ka qenë mosgjeturi e tërë gjeneratës së tij. Ishte kjo periudha vetëm e fillimeve të jetës aq të bujshme të odiseadës së tij. Dëshira për bredhje nuk buronte aq nga etja për aventura se sa nga mallëngjimi për të gjetur vendin e tij të qetësisë në botë, të arrinte tek pika ku do të mund të lidhte disi krejt atë që mund t`i ndodhte me atë që mendonte, ndiente dhe dëshironte. Domethënia e të gjitha bredhjeve të tij ishte vetëdijesimi për pazakonshmërinë e botës që e rrethon, dëshira që ta takonte vetveten dhe kështu sërish ta zgjonte realitetin e vet personal të harruar. Pas një viti plot ngritje e rënie aventuriere në qytetet e ndryshme të Evropës Qendrore, më në fund, në vjeshtë të vitit 1921, arriti të depërtonte në botën e gazetarisë. Atmosfera e përgjithshme e dydhjetvjeçarëve të parë në Evropën Qendrore ka qenë tejet e nderë. Pasiguria shoqërore dhe morale kishte nxitur një shpresë dëshpëruese që shprehej në eksperimentime në muzikë, pikturë, teatër dhe shpesh në hulumtimin revolucionar të kulturës. Në botën e lartësuar evropiane, të pakënaqur, të tendosur emocionalisht, të zbrazët shpirtërisht, Hyjnia e vërtetë nuk ka qenë më e llojit shpirtëror. Të paktë ishin ata që ndienin dhe mendonin në mënyrë religjioze dhe përpiqeshin t’i pajtonin besimet e veta morale me frymën e qytetërimit të vet. Evropiani mesatar njihte vetëm një besim pozitiv: adhurimin e përparimit material. Tempujt e kësaj “feje” ishin fabrikat, kinematë, laboratorët, hidrocentralet, sallat e vallëzimit; ndërsa “klerikët ”e saj kanë qenë: politikanët, bankarët, inxhinierët, yjet e filmave, bosët e kompanive ajrore dhe industriale etj. Në shekujt 18-19-të u bënë përpjekje për ta përhapur Ungjilloren e Kristianizmit nëpër tërë botën, por tash kur zjarri i tyre religjioz ish ftohur, aq sa religjioni filloi të konsiderohej vetëm si shtresë qetësuese muzikore – së cilës nuk i ishte lejuar të kishte ndikim në jetën e mirëfilltë – filluan përpjekjet që në vend të saj të përhapet “Ungjillorja materialiste” e mënyrës perëndimore të jetesës, besimi se të gjitha problemet njerëzore mund të zgjidhen në fabrika, laboratorë dhe mënyra statistikore. Sipas shkencës dituria ishte çdo gjë, por harrohej se dituria pa cak etik, mund të shpinte vetëm në kaos. Reformatorët shoqërorë, socialistët – të gjithë që dëshironin ta ndërtonin botën më të mirë e më të lumtur – mendonin ta realizonin atë vetëm në suazat e rrethanave të jashtme, shoqërore dhe ekonomike. Ata e ngritën koncepcionin materialist të historisë së vet në një nivel të një lloji të ri, të metafizikës antimetafizike. Kjo ishte pak a shumë atmosfera e atyre viteve në Evropën Qendrore, që vazhdon të jetë aktuale edhe sot, për të cilën më konkretisht autori shkruan: “Perëndimori ka humbur çdo integrim të brendshëm me natyrën. Jeta i është bërë enigmë. Ai është bërë skeptik, prandaj edhe është izoluar nga vëllai i vet, është vetmuar. Që të mos shkatërrohet në këtë vetmi, ai duhet të përpiqet që me mjetet e jashtme të dominojë në jetë. Pasi ka humbur çdo orientim metafizik dhe ka vendosur të jetojë pa të, ai duhet të gjejë aleatë mekanikë…Ai zbulon makina të reja, por në të njëjtën kohë ato krijojnë për të nevoja të reja, rreziqe të reja, frikëra të reja dhe etjen e pashueshme për aleatë të rinj artificialë…Shpirti i tij humbet në punë, kurse makina humbet qëllimin e vet të vërtetë, që ta ruajë e ta pasurojë jetën njerëzore. Shpejtësia e përparimit modern teknik është rezultat jo vetëm i rritjes pozitive të dijes, por po ashtu edhe i dëshpërimit shpirtëror…Pas fasadës së shkëlqyeshme përgjon frika nga e Panjohura…Pa ndonjë orientim të mirëfilltë religjioz, perëndimori nuk mund të ketë dobi morale nga drita e dijes që shkenca e tij rrezaton…Shoqëria perëndimore nuk e ka mohuar kategorikisht Zotin, ajo thjesht nuk ka vend për Atë në sistemin e vet intelektual. Kristianizmi ka pushuar t’i japë motivim moral qytetërimit perëndimor. Pjesëtarët e tij janë mësuar me mësimin se religjioni nuk duhet të përzihet në jetën praktike. Kësaj i ka ndihmuar qëndrimi i lashtë i Kishës, i cili ka ndjekur parimin e ndarjes midis “asaj që i takon Zotit dhe asaj që i takon Çezarit.” Duke mos iu ofruar besimtarëve te vet orientim konkret në gjërat e kësaj bote, religjioni të cilin e predikon bota perëndimore ka gabuar në atë që në të vërtetë është detyrë parësore e çdo religjioni: t’i tregojë njeriut jo vetëm si të ndiejë por edhe si të jetojë në mënyrë të drejtë. Me ndjenjën e instinktit se religjioni i vet në një farë mënyre e ka lënë në baltë, njeriu perëndimor e ka humbur tërë besimin e vet të vërtetë në kristianizëm, duke jetuar në një vakum të plotë moral dhe shpirtëror…” E gjithë kjo ishte ajo çka përjetonte edhe vetë autori, sikurse e gjithë gjenerata e tij. Por atij kurrë nuk i kishte rënë ndërmend, ashtu sikurse askujt rreth tij, se përgjigja mund të merrej nga përvojat kulturore jashtëevropiane. Evropa ishte fillimi dhe fundi i çdo mendimi të tij dhe ai madje as kishte arritur ta pyeste veten se a është mënyra europiane e jetës, mënyra e vetme e mundur. Pra sikurse të tjerët ai qe thelluar plotësisht në pikëpamjen egocentrike kulturore evropiane. Mënyra e vjetër e mendimit greko-romak, që e ndante botën “në grekë dhe romakë ”, në njërën anë dhe në “barbarë”, në anën tjetër, ka qenë aq thellë e rrënjosur në frymën perëndimore, saqë ajo nuk ishte në gjendje që as teorikisht të pranonte vlerën e diçkaje tjetër jashtë sferës së saj vetjake kulturore. Megjithatë, disa dijetarë të pjekur perëndimorë, të liruar nga iluzionet dhe skeptikë në shumë aspekte ndaj qytetërimit vetjak, kishin filluar t`iu drejtoheshin pjesëve të tjera të botës në kërkim të frymëzimeve kulturore. Edhe Weiss për një fare kohe u end në këto ujëra. Prej moshës 17 vjeçare e disa vjet më pas, filozofia e daocistëve, e themeluar nga Lao Czi, i kish shërbyer si një dritare nëpër të cilën kishte mundur të shikonte në fushat si kristali të pastra të jetës, larg çdo ngushtësie dhe frike. Evropa, ndoshta, as që do të mund ta arrinte atë kthjelltësi të lehtë të shpirtit për të cilën fliste Lao Czi, nëse nuk do të merrte guximin të dyshonte në rrënjët e veta shpirtërore dhe morale. Por, me kalimin e kohës, filozofia e Lao Czi-s u tërhoq në prapavijën e ëndërrimeve të tij ideore, duke mbetur vetëm bartëse e poezisë joshëse dhe thirrje ëndërruese drejt një fortese të fildishtë, të cilën autori nuk e kishte dëshiruar kurrsesi edhe pse ishte në konflikt të vazhdueshëm me botën e paharmonizuar dhe të hidhët. Dhe fati sjell kthesën në jetën e tij. Në verë të vitit 1922 filloi udhëtimin e tij të parë në Lindjen e Mesme: Palestinë, Egjipt, Transjordani, Siri etj. Këtë aventurë të tij të parë drejt Lindjes, të kryer thjesht prej kureshtjes, e ka menduar si një udhëtim të rastit dhe si një interlud të këndshëm, por jo të rëndësishëm. Sikur atëherë dikush t`i kish thënë se njohja e tij e parë me botën islame do të shkonte larg përjetimit shëtitës dhe do të bëhej kthesë në jetën e tij, atij do t’i dukej kjo si një ide skajshmërisht absurde. Ashtu edhe sikurse shumica e evropianëve të tjerë, mendimet e tij me këto vende i lidhte me atmosferën romantike të netëve arabe, koloritin, traditat ekzotike, oazet idilike, - por kurrsesi nuk ka menduar të priste përjetime edhe në fushën shpirtërore. Ka qenë i edukuar me bindjen se Islami dhe çdo gjë që ai paraqet nuk duhet as të përmendet së bashku dhe aq më pak të krahasohet me dy fetë, të vetmet të cilat Perëndimi i konsideronte të denja të merren seriozisht: kristianizmin dhe hebraizmin. Perëndimi tregohej pak më tolerant ndaj kulturave të vjetra; jo ndaj Islamit, por ndaj disa kulturave të tjera lindore që ofrojnë një lloj joshjeje shpirtërore. Ai mund t’i shqyrtonte plotësisht i qetë kulturat e tilla, vërtet të huaja, si: hinduizmi apo budizmi, pa e shqyrtuar aspak mundësinë e ndërrimit të besimit të tij vetjak me ato besime, por kjo qetësi perëndimore çrregullohej plotësisht nga paragjykimet emocionale kur ishte në pyetje Islami, për shkak se vlerat e Islamit paraqesin provokim potencial për shumë koncepte perëndimore të jetës shpirtërore dhe shoqërore. Armiqësia ndaj Islamit ka qëndruar mbi djepin e qytetërimit evropian. Prej kohësh ishte mbjellë fara e errët e urrejtjes ndaj religjionit dhe qytetërimit, i cili ishte krejtësisht i ndryshëm nga religjioni dhe qytetërimi Perëndimor. “Dhe si për ironi të historisë, kjo urrejtje shumë e vjetër ndaj Islamit, që është me prejardhje religjioze, vazhdon ende në kohën kur religjioni e ka humbur pjesën më të madhe të ndikimit të vet në frymën e evropianëve, gjë që s`është befasuese, pasi dikush mund t`i humbë besimet religjioze që i janë dhënë në fëmijëri, por megjithatë disa emocione të veçanta të lidhura me ato besime mbeten racionalisht në fuqi gjatë tërë jetës së tij të mëvonshme. E kjo është pikërisht ajo që i ka ndodhur këtij personaliteti kolektiv, do të thotë qytetërimit perëndimor. Hija e luftërave kryqtare pezullon mbi Perëndim edhe sot dhe të gjitha reagimet ndaj Islamit dhe botës muslimane bartin gjurmë të shprehura të kësaj vegullie që vështirë vdes”. Nën peshën e gjithë këtyre paragjykimeve, Leopold Weiss, në verë të vitit 1922, u nis drejt vendeve të Lindjes. Përshtypja e parë mbresëlënëse e tij, sapo shkeli në tokat arabe, ishte atmosfera e lirisë që përshkonte jetën e arabëve, parandjenja e botës pa kufij përcaktues, e cila është plotësisht e rrethuar në vetvete e megjithatë e hapur në të gjitha anët, e një bote që së shpejti do të bëhej e tij personale. Kontakti me ta bëri që ai të dëgjonte këngën e shpirtit të fortë, që nuk njeh pengesat e rrethanave dhe i cili është në qetësi me vetveten dhe e shtyri të ndiejë nevojën e fortë që ta njohë dhe ta kuptojë jetën e tyre. Ashtu papërcaktueshëm, ai i kish përfytyruar arabët vetëm si nomadë në tendat shkretinore dhe si banorë të oazeve idilike. Ata muaj të parë të qëndrimit të tij në tokat arabe qenë vendimtarë për kthesën që po vinte në jetën e tij. Ai u ballafaqua me një domethënie jetësore krejtësisht të re. Fryma e ngrohtë njerëzore, sikur kishte rrymuar nga gjaku i atyre njerëzve në mendimet dhe lëvizjet e tyre, larg vuajtjes shpirtërore dhe fantazmave të frikës, karakteristikë e jetës perëndimore. Lirshmëria e tyre, ndryshe nga ajo e aristokracisë evropiane, nuk ishte shkëlqim i butë, i edukuar brez pas brezi me përpjekje të kujdesshme, por sikur zjarri i ngrohtë i cili buron prej sigurisë së tyre. Tek arabët ai filloi të gjente diç që gjithnjë jo vetëdijshëm e kishte kërkuar: lehtësinë emocionale ndaj të gjitha pyetjeve jetësore. Ajo që në fillim ka qenë diç më shumë se simpati për pamjen e jashtme të jetës arabe dhe sigurisë emocionale që ka vërejtur tek ata, pahetueshëm u ndërrua në diç që i ngjante kërkimit personal. Gjithnjë e më shumë po bëhej i vetëdijshëm për dëshirën e paevitueshme për të mësuar se ç’është ajo që qëndron në rrënjën e kësaj sigurie emocionale, sikur kjo dëshirë të kishte qenë fshehtësisht e lidhur me problemet e tij më intime. Apo, ndoshta për të gjetur atë që perëndimorët i ka larguar nga liria solemne jetësore, që dukej se arabët e kishin, e të cilën është dashur ta kenë pasur më herët edhe ata. Ose, përndryshe si kishin mundur t`i jepnin artet e mëdha të së kaluarës, katedralet gotike të Mesjetës, gëzimin luksoz të Renesancës, pikturat e Rembrandit, fugat e Bahut, ëndrrat e kthjellëta të Moxartit apo murmurimën e Bethovenit?! Tashmë botës evropiane i mungonte liria solemne jetësore, paqja me veten, prandaj kurrë nuk do të ngrihej më mes tyre një Bethoven apo një Rembrand Ai filloi të kuptojë se, për shumicën e njerëzve në Perëndim, përditshmëria e jetës ka qenë barrë e rëndë, nga e cila mund t’i lironte vetëm e diela, por gjithë ato ditë të dielash të zbrazëta, së bashku me ankthet që shkaktonte ajo zbrazëtirë, nuk ishin më ditë pushimi, por ishin bërë arrati në jorealen. Ishte koha kur ai filloi të bëjë karrierë të bujshme në gazetën prestigjioze “Frankfurter Zeitung ”, e cila ishte gati-gati një institut hulumtimesh, artikujt e së cilës shërbenin si evidencë e dokumentuar, ku mund të mbështeteshin politikanët dhe historianët dhe analizat politike të së cilës shiheshin me të njëjtin respekt sikurse edhe notat verbale të qeverive të huaja. Talenti i tij i jashtëzakonshëm bëri që ai të afirmohej si një gazetar i shquar për problemet e Lindjes së Mesme dhe të ish përfaqësuesi i saj special në këto vende. Disa nga artikujt e tij, sidomos ato në lidhje me psikologjinë religjioze të iranianëve, zgjuan vëmendjen e orientalistëve të dalluar, e në bazë të këtyre arritjeve ai u ftua të mbante një varg ligjëratash në Akademinë Gjeopolitike të Berlinit, nder që nuk i qe ofruar asnjë njeriu të moshës së tij (në atë kohë ish 26 vjeçar). Madje një artikull i tij ish botuar, me lejen e Frankfurter Zeitung - ut, pothuaj tridhjetë herë në shumë gazeta të tjera. Gjatë kthimeve të tij të herëpashershme në Evropë, ai kish vënë re se nuk mund të fliste më me të njëjtën gjuhë intelektuale me miqtë e tij të vjetër letrarë, pasi shumica e tyre ishin të mendimit se religjioni ishte çështje e së kaluarës dhe se ai kish pushuar të ish çkadoqoftë, përveçse një konvencion i demoduar dhe se koha e tyre kërkonte një qasje të re “humaniste ”. Ai pati arritur deri te pika, ku po i bëhej e qartë se nuk do të ishte kurrë më në gjendje të identifikohej me synimet e shoqërisë perëndimore. Por, ai kish filluar të kuptonte, me një vërtetësi gjithnjë e në rritje, se ajo kohë kish nevojë për fenë, që do t`u mundësonte të kuptonin zbrazëtinë e përparimit material dhe t`u mësonte se si të vinin baraspeshën midis kërkesave shpirtërore dhe atyre fizike. Ai filloi të zbulonte lidhjen midis sigurisë emocionale të arabëve me fenë të cilën ata predikonin dhe të kuptonte se gjendja kaotike e etikës dhe mungesa e brendshme e tërësisë evropiane, ishte pasojë e humbjes së lidhjes së saj me besimin religjioz, i cili i kish dhënë formë qytetërimit Perëndimor. Sa më tepër mësonte diçka për mësimet e Islamit, aq më shumë i bëhej se zbulonte diçka që gjithnjë e kishte ditur edhe duke mos e ditur. Në atë periudhë të jetës së tij, problemi i Islamit e përshkroi në atë masë, saqë i shtyu të gjithë të tjerët. Preokupimi i tij tash kish filluar ta kapërcente shkallën fillestare, ku ndihej interesimi intelektual për ideologjinë dhe kulturën e çuditshme, dhe ish shndërruar në kërkesë të pasionuar të së vërtetës. Evropianët agnostikë e shihnin çdo përvojë religjioze nëpër thjerrëzën e botëkuptimeve kristiane dhe e konsideronin “të vlefshme” vetëm nëse ishte përcjellë me mallëngjimin e respektit të thellë misterioz para gjërave të fshehura dhe jashtë të kuptuarit intelektual, që i përshtatet thënies së Tertulianit: “Credo quia absurdum” - E besoj, sepse është absurde. Weiss, me mprehtësinë që e karakterizonte, arriti të kuptonte se Islami në mënyrë parësore ishte ndërmarrje intelektuale e jo emocionale. Sipas të konceptuarit islam, natyra burimore e njeriut në thelb është e mirë, kundrejt idesë kristiane se njeriu është lindur mëkatar, ose mësimeve hinduse se ai në pikënisje ishte i ulët, i papastër dhe duhej të kalonte me mundime nëpër një sërë inkarnimesh të gjata drejt cakut përfundimtar të përsosurisë. Ai me aftësinë e tij tipike analizuese arriti të kuptonte se rënia e muslimanëve nuk ishte pasojë e ndonjë mangësie të Islamit, por pikërisht lëshimi i tyre që të jetonin sipas tij, sepse pikërisht Islami i kish shpënë muslimanët e parë deri tek ngritjet kulturore kolosale të tyre. Nuk e kishin bërë muslimanët të madh Islamin, përkundrazi Islami i kishte bërë të mëdhenj ata. Por kur feja e tyre kish filluar të bëhej shprehi dhe kish pushuar të ishte program jetësor, shtytja krijuese që kish qëndruar në themel të qytetërimit të tyre, gradualisht, kishte filluar të zhdukej dhe ia kish lëshuar vendin indolencës, sterilitetit dhe rënies kulturore. Por, megjithatë, edhe pse në një masë të madhe e kishin humbur atë fuqinë krijuese, e cila thesarin e tyre kulturor e kish bërë aq të madh, këta popuj muslimanë kishin kontakt shpirtëror të drejtpërdrejtë, të gjallë me kolosët e tyre. Nuk ishte aspak e pabesueshme të dëgjoje beduinin analfabet se si citonte vargje të një poeti të madh arab, që kish jetuar në shek. e 10-të, ndofta më pak e pabesueshme seç do të ishte të dëgjoje fshatarin bavarez të citonte Gëten apo punëtorin anglez të citonte William Blake-n, Shelley-n, Dylan Thomas, John Keats apo Wallace Stevens. Atë e impresionoi fakti se Islami ishte një sistem që kish të bënte jo vetëm me gjërat shpirtërore, por ofronte kornizë për të gjitha aktivitetet individuale dhe shoqërore, pikëpamjet morale dhe fizike, problemet e trupit dhe shpirtit, madje edhe për çështje të tilla “profane” siç ishin tregtia, trashëgimia, e drejta e pronësisë etj. Njohja e mëtejshme dhe më e thellë e Islamit bëri që ai të kuptonte se Islami ofronte vizionin e një organizimi politik, në të cilin vetëdija për Zotin ish burimi kryesor i mirësjellje praktike të njeriut dhe themel i vetëm i të gjithë institucioneve shoqërore. Ai ofronte një shoqëri të hapur ideologjike, përkundër shoqërive të mbyllura, racore dhe gjeografikisht të kufizuara. Islami kish konceptuar një sistem në të cilin nuk kish ndarje klasash, kurrfarë aristokracie trashëguese, në realitet kurrfarë funksionesh trashëguese. Qëllimi kish qenë konstituimi i teokracisë në raport me Zotin dhe i demokracisë ndërmjet njeriut dhe njeriut. Dhe përderisa në fillim të historisë islame, ky sistem ishte aplikuar me sukses në praktikë, mund të bëhej realisht i mundshëm sërish. Kështu dalëngadalë, fshehtas, pa zhurmë e britmë, Islami hyri tek ai, me qëllim që të mbetet përgjithnjë. Për kalimin e tij në Islam, autori thotë: “Islami më duket si vepër e përkryer arkitektonike. Të gjitha pjesët e tij janë të konceptuara harmonikisht dhe e plotësojnë dhe e mbështesin njëra-tjetrën. Pikërisht fakti se çdo gjë në mësimet dhe postulatet e Islamit është në vendin e vet më ka impresionuar tejet fuqishëm. Islami ka hyrë tek unë heshturazi dhe fshehtazi, por përgjithmonë…” Së fundi, është meritë e pamohueshme e përkthyesit, z. Nexhat Ibrahimit,që bëri që Asadi të rrëfejë udhëtimkërkimin e vet edhe shqip. Ky përkthim, që siç dihet është punë sa fisnike aq edhe sfilitëse, tregoi befasueshëm se përkthyesi hyn edhe në radhët e atyre përkthyesve me vokacion të spikatur shkrimtari, duke e tejkaluar imazhin e tij të deritanishëm si përkthyes dhe kërkues i fushës historike dhe filozofike. Përkthyesi shpalos edhe një dimension të ri të talentit të tij, atë të një shkrimtari, pasi përkthimi i kësaj vepre letrare nuk dallon nga ato të kryera nga përkthyes të afirmuar dhe profesionalistë. Mark Strand-i ka pasur parasysh pikërisht veprat e denja letrare, kur shprehet: “Forca e një stili duhet matur me kundërshtimin që ai i bën përkthimit ”. Njeriu ndjen respekt të thellë për vetëmohimin e pashoq dhe vullnetin e hekurt të këtij intelektuali të paepur, që arriti të nxjerrë nga qelitë makabre të bishës millosheviçiane, një perlë të tillë, një vepër që mund të përkthehet nga intelektualë të një rangu të tillë të lartë,siç është Nexhat Ibrahimi. Lexuesi pyet veten me habi se ku e gjeti përkthyesi njomësinë dhe ngrohtësinë e nevojshme për të ushqyer brishtësinë që ngërthen në vete proza poetike e Asadit, brenda zymtësisë së mureve të ftohta të burgut, nën terrorin e vazhdueshëm fizik dhe psikik të regjimit të urryer racist, përtej çdo ngrohtësie dhe ushqimi shpirtëror, larg rrethit të njerëzve të ngritur shpirtërisht, afër njerëzve me vulgaritet shpirtëror, nën kërcënimin brutal të urisë, sëmundjes, torturës, të eliminimit fizik pa zë e pa gjurmë…. Marrë në tërësi, puna voluminoze e deritanishme, që ka shoqëruar veprën dhe krijimtarinë e Nexhat Ibrahimit, duke marrë parasysh edhe moshën e tij relativisht te re, ngjason me punën kolosale të njerëzve të mëdhenj, duke e radhitur atë pa asnjë diskutim të parin për sa i përket prodhimtarisë dhe kontributit me të cilin ai e ka pasuruar literaturën islame në gjuhën shqipe. Tepër modest, popullor dhe i thjeshtë në jetën e përditshme, por që transformohet krejtësisht në tavolinën e tij të punës, në kushte tepër modeste punë e jetese – karakteristikë e gjithë njerëzve të ndershëm, ai vazhdon palodhshëm të japë kontributin e tij për lartësimin e fesë Islame. Ky libër na erdhi në duar paralelisht me shpërthimin e sythave e bisqeve të pemëve dhe përhapjen e aromës së petaleve të luleve në fillimpranverën e këtij viti, si një dhuratë e çmuar, që hodhi rrënjë të thella në zemra dhe që do të gjelbërojë përherë në shpirtrat tanë. FUND |
__._,_.___
Change settings via the Web (Yahoo! ID required)
Change settings via email: Switch delivery to Daily Digest | Switch to Fully Featured
Visit Your Group | Yahoo! Groups Terms of Use | Unsubscribe
__,_._,___
RSS Feed