Atdheu 27.12.2005
Olsi <olsi <at> rocketmail.com>
2005-12-02 20:09:42 GMT
Legalistët kanë kërkuar në konferencë shtypi, të fshihet
“festa” 29 nëntorit
29 Nëntori është festa e stalinistëve shqiptarë
Enveristët e djeshëm, socialistë të sotëm, le ta festojnë
këtë datë të mallkuar në shtëpitë e tyre... Meqë jemi në
demokraci... le të pranojmë që ata, bashkë me sllobodanët
dhe vojisllavët e Serbisë, ta festojnë festën e tyre të
Serbosllavisë së AVNOJ-it në Beogradin që dikur e bënë
qendër pelegrinazhi për bekimin e pushtetit
Editorial
Edhe njëherë për çeshtjen e arit
Nga Neritan Kolgjini
Babai i komunizmit Karl Marks thuhet se ka shkruar që
“politika është shprehje e koncentruar e ekonomisë”. Këtë
maksimë marksiste, unë, nuk është se e pranoj, apo se e
hedh poshtë, por thjesht po e përdor për të treguar që
marksistët e variantit komunist shqiptar, e kanë respektuar
atë pikë për pikë. Dhe më interesantja është se po e
përdorin me mjaft efekt edhe sot e kësaj dite. Një aspekt
mjaft konkret i kësaj është çështja e arit shqiptar. Atij
që ndodhej në banka në fundvitin 1944 dhe atij që u grabit
më pas për disa dhjetëvjeçarë rresht. Komunistët e
Shqipërisë ishin mjaft të dhënë pas verdhushkave dhe, për
të mbushur plot xhepat e tyre, s’lanë krim pa kryer. Ia
nisën me bankat, vazhduan me thesarin e shtetit dhe, në
fund, zbritën te nënshtetasit e pasur, të cilët i kriposën
të gjallë që të tregonin se “ku i kishin fshehur qypat me
florinj”. Dhe, këta të fundit, duke qenë para rrezikut të
shndërrimit në “konserva me mish njeriu”, natyrshëm folën e
treguan për “qypat”. Si rezultat i kësaj çmendurie
komuniste, sot na del që florinjtë e grabitur këtyre
njerëzve qenkan në shifrat 320 tonë (treqind e njëzet). E
konvertuar në dollarë, sipas specialistëve, sot kjo shifër
kalon 3 miliardët (tre) në dollarë. Pra pushteti komunist
ka synuar fort që të pasurohet për vete dhe politika e tij
kryesisht është koncentruar në grumbullimin e verdhushkave.
Zaten nuk ka qenë kot ajo propaganda se “pas luftës, do të
hamë me lugë floriri”. Enver Hoxha, si kusar e kleptoman,
rroku rastin për t’u bërë komunist, madje kryepar i tyre,
pasi e kishte kuptuar që ky sistem të bënte të pasur me
pronën e tjetrit, duke ia grabitur, rrëmbyer e vjedhur.
Thjesht kusar, apo pirat. Ai u bëri thirrje gjithë barinjve
e lumpenit të Shqipërisë që të linin kërrabat ose veglat e
punës e të kapnin pushkët, se kështu do të bëheshin të
pasur duke marrë bagëtitë apo pasuritë e pronarëve. Kjo
ishte politika komuniste, e cila në thelb ishte një variant
“ideologjik” i kusarisë sipas maksimës marksiste që shënuam
në fillim. E njëjta politikë vazhdoi edhe pas “vendosjes së
diktaturës së proletariatit”. Kusarët enveristë u kacafytën
e u grinë me njëri-tjetrin për çështjen e... verdhushkave.
Gjithë grupet “armiqësore” që u zbuluan përgjatë disa
dhjetëvjeçarëve, po t’i shohësh hollë-hollë, s’janë gjë
tjetër, veçse pretendentë për të shtënë në dorë hazinenë
(thesarin) e shtetit. Enveri e kuptoi që duhet të shmangte
mëtonjësit e verdhushkave dhe gjetje më të mirë se t’i
shpallte armiq, nuk mund të bënte. Ndërkaq, ka zëra të
besueshëm që janë rreth 120 (njëqind e njëzet) tonë ar, të
dërguara jashtë shtetit, nëpër banka e “parajsa” fiskale,
të cilat as nuk janë gjurmuar nga qeveritë e pas-90-ës dhe
as ka gjasa sot për sot të gjurmohen. Dosja e këtij
floriri, e kësaj pasurie kombëtare, është dosja që fshihet
me devotshmërinë më të madhe nga qeveritarët e ndryshëm të
pas-90-ës. Edhe deklaratat për moskthimin e 320 tonë
florinjve pronarëve, janë në vazhdën e mospërmendjes së
kësaj vjedhjeje monstruoze që i është bërë pasurisë së
shqiptarëve. Ky është një krim i shumëfishtë edhe për
faktin se e drejta njerëzore për pronën po dhunohet disa
herë rresht, ndërkohë që prioritetet e qeverive
poskomuniste thuhet se kanë të bëjnë me integrimin në
Europë. Por në Europë, askush nuk të pranon me hipoteka të
tilla kusarie. Eshtë ironike që e drejta e pronës po njihet
në Kinë, një vend komunist, e nuk njihet ende në Shqipëri,
një vend që synon të integrohet në Europë. Argumenti që
japin politikanë të opozitës e të pushtetit se “po t’u
kthejmë pronarëve florinjtë, penalizojmë gjithë
shqiptarët,” është abuziv, pasi shkel të drejtën e shenjtë
të zotërimit të pasurisë. Ai argument rrëzohet shumë
kollaj, po të sqarosh se “të gjithë shqiptarët kanë qenë
përfitues për 45 e më shumë vjet” të asaj pasurie
“shtetërore”. Nëse janë 320 tonë ar, atëherë duhet të
deklarohet që ky ar është në thesar të shtetit; është në
“Kërrabë”!... Nëse nuk është, atëherë dalim edhe njëherë te
dosja e fshehur e arit shqiptar të grabitur nga enveristët.
Kjo është pika që duhet të zgjidhë qeveria e sotme Berisha.
Nëse ia arrin kësaj, atëherë është për t’i hequr kapelen.
Përndryshe do të tregojë se nuk e ka edhe aq me qejf
përplasjen me klanet kusare të verdhushkave në variantin
enverist e ramizist. Dhe së fundi, përmendim se boll u
abuzua me “penalizimin e të gjithë shqiptarëve”, po t’iu
ktheka prona të zotërve! Sepse kështu thuhet edhe kur është
fjala për florinjtë, edhe kur është fjala për trojet,
banesat e tokat, kështu thuhet për kompensimin e ish-të
persekutuarve politikë e me radhë. Ky qendrim nuk është gjë
tjetër, veçse zbatim i përpikshëm i maximës marksiste
“politika është shprehje e koncentruar e ekonomisë”.
Mbreti Leka ngushëllon Familjen Juka
Oborri Mbretëror Shqiptar
Rezidenca Tiranë
Ngushëllim familjes të znj.Servete Musa Juka
Me nderim për Familjen Tuaj, Ju shprehim ngushëllimet Tona
për humbjen e pazëvendësueshme të zonjës Servete Musa Juka.
Zonja Servete ka treguar me kontributin e saj, se e ka
mbajtur gjithmonë të gjallë frymën kombëtare, ka luftuar
për Kombin Shqiptar dhe për Idealin e Mbretërisë Shqiptare.
Ne do ta kujtojmë gjithmonë me nderim dhe respekt, se ka
qënë gjithmonë afër Nesh, duke vlerësuar kontributin e
veçantë edhe të trashëgimtarëve të tjerë të Familjes Juka.
Edhe një herë Ju shprehim ngushëllimet dhe respektin Tonë.
Vëllazërisht,
NMT LEKA I –MBRET I SHQIPTARËVE
Intervistë me z.Murat Basha, Nënkryetar i PLL-së
E drejta e pronës nuk është “paketë elektorale”
Basha: Familja Mbretërore Shqiptare mbart realisht vlera
kombëtare, ajo ka merita dhe kontribute të jashtëzakonshme
në favor të nacionalizmit shqiptar, dhe, mbi gjithçka, ka
merita për krijimin e shtetit të parë demokratik shqiptar.
Mendoj se z.Berisha e ka kuptuar se respekti për Familjen
Mbretërore Shqiptare, është edhe respekt për historinë e
shtetit shqiptar dhe vazhdimësinë e tij juridike.
Tash, në opinionin publik po diskutohet fort çështja e
rikthimit të pronës te i zoti, ose siç thuhet në mënyrë të
kamufluar, rregullimi i çështjes së pronës. Cili është
komenti juaj?
Mendoj se prona tashmë ka filluar të trajtohet si një
çështje që kërkon seriozitet, përgjegjësi politike dhe
moral të lartë. Deri më tash ajo është trajtur si “paketë
elektorale” në favor të forcës politike që ka qenë në
pushtet. Nëse socialistët e kanë trajtuar pronën si “plaçkë
lufte” ku pronari “i klonuar” fitonte në kurriz të pronarit
legjitim, demokratët (gjatë periudhës 92-97) ndoqën
pakashumë parrullën “të gjithë të shpronësuar, të gjithë
pronarë”.
Gjatë këtyre 70 ditëve të para të qeverisjes demokratike,
duket qartë se ata kërkojnë ta zgjidhin përfundimisht këtë
plagë të hapur në gjirin e shqiptarëve, duke njohur
pronarin “e lindur” dhe jo atë të gjetur në “bahçen e
komshiut”. Njohja e tapive të periudhës së regjimit të
Mbretërisë Shqiptare, është pikënisje për një rikthim të
vërtetë të pronës në shenjtërinë e saj. Megjithatë, rruga e
gjatë drejt njohjes së pronës është sa e vështirë aq edhe e
mundur, nëse parimet vendosen mbi interesat e ngushta
partiake.
Të shpresojmë që fillimi i mirë të mos jetë vetëm gjysma e
punës, pasi siç thotë një shprehje e urtë angleze “Gjithçka
që bën, bëje me të gjithë fuqinë tënde, gjërat e lëna
përgjysëm nuk përfundojnë kurrë mirë”.
Megjithatë, kam bindjen se ky projekt-ligj i përgatitur nga
qeveria, ka nevojë për rregullime të mëtejshme, të cilat
mendoj se do t’i japin zgjidhjen më të mirë të mundshme
problemit të pronave. Në këtë kontekst, ne legalistët, si
gjatë kohës së përfaqësimit në parlament, ashtu edhe sot,
kemi dhënë herëpas’here sugjerime, si dhe kemi paraqitur
projekte që i japin zgjidhje racionale këtij problemi, i
cili është kyçi i artë i ecurisë së proceseve demokratike,
por edhe i hapjes së një perspektive ekonomike, për të
nxitur biznesin vendas për investime të fuqishme, si edhe
për të thithur biznesin e huaj “matanë Adriatikut”, për të
investuar në Shqipëri.
Familjes Mbretërore i është kthyer njëra prej pronave të
trashëguara. A kemi të drejtë të pretendojmë se ky akt i
qeverisë Berisha është një ogur i mbarë që dëshmon se
odiseseadës së pronave të Familjes Mbretërore, po i vjen
fundi?
Nuk mund të them se me iniciativat që ka marrë kryeministri
Berisha në lidhje me kthimin e pronës (njëkohësisht edhe me
fjalën e tij se do t’i kthejë edhe prona të tjera Familjes
Mbretërore), kësaj odiseade po i shihet fundi. Por nuk mund
të rri pa vlerësuar këtë iniciativë, sa morale aq edhe
shpresëdhënëse të kryeministrit Berisha, duke qenë i
vetëdijshëm për vështirësitë që has ai në këtë sipërmarrje
politike.
Ndaj Familjes Mbretërore Shqiptare, komunistët e djeshëm
dhe socialistët e sotëm kanë hedhur shumë baltë. Opinioni
publik shqiptar (përgjatë gjysëm-shekulli e më shumë),
është helmuar sistematikisht me një propagandë diabolike,
sipas të cilës zogollët janë fatkeqësi kombëtare, satrapë e
diktatorë, që duhen zhdukur pa nam e nishan nga faqja e
dheut. Përkundër këtij opinioni, Familja Mbretërore
Shqiptare mbart realisht vlera kombëtare, ka merita dhe
kontribute të jashtëzakonshme në favor të nacionalizmit
shqiptar, dhe, mbi gjithçka, ka merita për krijimin e
shtetit të parë demokratik shqiptar.
Mendoj se z.Berisha e ka kuptuar se respekti për Familjen
Mbretërore Shqiptare, është edhe respekt për historinë e
shtetit shqiptar dhe vazhdimësinë e tij juridike.
Kabineti Berisha po i afrohet plotësimit të 100 ditëshit të
parë të tij. Një koment ju lutem mbi këtë, kur dihet se
puna e një qeverie nuk matet me 100 ditët e parë, por që
gjithsesi këto të japin një ide për piketat qeverisëse?
Në lidhje me Kabinetin Berisha, për të qenë i saktë, ka pak
gjëra për të analizuar thellë, pasi të pakta janë edhe
ditët e punës në qeverisje. Megjithatë mund të them se kjo
qeverisje më duket fjalëpakë e punëshumë. Ka më pak
retorika joproduktive, më pak pompozitet, eufori dhe
vetësiguri.
Në një plan tjetër, konstatoj se demokratët e morën në dorë
qeverisjen e vendit, atëherë kur socialistët i kishin
nxjerrë ujët e zi gjithçkaje. Të sjellim në kujtesë rastin
e parë “kur kishim vetëm 6 ditë bukë”, ndërsa kësaj radhe
qeverisja u muar në dorëzim, nëse mund të shprehem jo vetëm
figurativisht, “vetëm me 6 orë drita”. Pra, kjo është një
situatë e vështirë, e krijuar nga keq-qeverisja socialiste,
e cila e di më mirë se kushdo se ku janë pikat e dobëta të
qeverisjes, pasi i kanë krijuar vetë ato.
Disa aleatë të PD-së, në qeveri e jashtë saj, po
shigjetojnë me kritika kabinetin Berisha. Madje kanë shkuar
më tej se opozita, pasi kjo e fundit ka kërkuar dorëheqjen
e kryetares së parlamentit zonjës Topalli, kurse z.Lesi ka
kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Berisha. Një koment ju
lutem për këtë rikonfigurim të qendrimeve?
Nëse e fillojmë nga opozita shqiptare, kërkesat e saj më
duken të përmbajtura, kur mendoj sesa të vështirë e kanë
ata të mbeten pa pushtet, qoftë edhe një ditë. Sepse ata
nuk mund ta konceptojnë qëndrimin pa pushtet, pasi
gjithmonë e kanë trajtuar Shqipërinë si çiflig dhe vetes i
njohin merita të mëdha për këtë vend. Por qëndrimi i tyre i
“përkorë”, mesa duket lidhet me të ftohtit që i ka futur
nëpër shtëpi dhe me “zahiretë e dimrit” që i kanë më të
mira sesa ato të Sulltan Hamitit. Pra, ngaqë kanë ngrënë
shumë para se të ngriheshin nga tryeza e pushtetit, duan ca
kohë për ta tretur ushqimin që u ka rënduar midenë. Por kur
ta tresin, këtu do jemi, do të shohësh sesi do të turren si
ujqër të uritur..., dhe pastaj mjerë delet...
Lidhur me kërkesën për largimin e zonjës Topalli, nuk besoj
se e kanë seriozisht, e kanë sa për t’ia bërë “pauuu”dhe
për të dëshmuar se “Kola është në punë”. Përndryshe, e kanë
të vështirë të justifikohen para veteranëve komunistë, sesi
mund ta lejojnë mbesën e të madhit nacionalist e shtetar
mendjendritur, zogistit Ndoc Çoba, “të shijë lëmën në
parlament”, të cilin ata e pandehin pronë të tyre, duke e
ngatërruar me Kuvendin Popullor të barinjve, mjelëseve dhe
partizanëve Meke me gjysëm opinge.
Sa u përket kërkesave të aleatëve, mendoj se këto janë punë
të koalicionit në pushtet dhe besoj se do të zgjidhen me
mirëkuptim, pasi gjithmonë fillimi është i vështirë...
Kurse lidhur me deklaratat e z.Lesi, besoj se nuk ka nevojë
për koment, pasi Nikolla është ai që është... Nikolla është
fenomen unikal në politikën dhe median shqiptare dhe nuk
mund të pranojë të qëndrojë jashtë vëmendjes. Ai nuk mund
të durojë pa e provuar kënaqësinë e të qënit problem, sepse
vetëm kjo i shijon. Pastaj, kjo zhurmë i duhet edhe për të
shitur gazetën, e cila, për hir të së vërtetës, është
shembull unikal për qëndrimet refraktare ndaj të gjitha
pushteteve. Pra në thelb mendoj se artikulimet e z.Lesi
janë edhe pjesë e strategjisë së marketingut politik dhe
mediatik që ai ka zgjedhur për të çarë e triumfuar në
tregun e politikës dhe medias, dhe Nikolla është mjeshtër
për skema të tilla.
Opozita e majtë dhe kryesisht PS-ja, duket mjaft e axhituar
për shkak të debatit lidhur me datën e ardhjes në fuqi të
regjimit komunist të Enver Hoxhës. A mendoni se ka shumë
vlerë ky debat?
Vërtet e merrni seriozisht këtë zhurmë? Vërtet mendoni ju
se socialistët dhe të truthiasurit pleq veteranë të tyre,
po i ha meraku për këtë vend dhe për të ashtuquajturin
çlirim të tij? Mos vallë e kanë dëshmuar ndonjëherë ata me
vepra se u digjet barku për Shqipërinë, që e kanë djegur sa
herë ua ka dashur qejfi? Jo or jo!
Ata nuk e kanë hallin tek Shqipëria dhe çlirimi i saj, por
e kanë hallin tek pushteti, i tyre dhe i bijve. E kanë më
të lehtë ta pretendojnë pushtetin kur u thonë shqiptarëve,
sikurse u kanë thënë për 50 vjet, se e meritojnë të
qeverisin pasi kanë bërë shumë për këtë vend, se kanë
“derdhur gjak” për ta “çliruar”. Në fakt kanë derdhur gjak
shqiptarësh, për ta çliruar nga shqiptarët.
Por, mbi të gjitha, ata hallin e kanë tek amerikanët, të
cilëve duan t’u dëshmojnë se i kanë xhan, se “i kanë patur
e i kanë aleatë”, si baballarët, ashtu edhe bijtë. Dhe këtë
po e bëjnë me të gjithë rrylat e fytit dhe tam-tamet, që
ata i quajnë agjit-prop bolshevik. Jo Shqipëria dhe çlirimi
i saj, por pushteti është zemreku që lëviz akrepat e orëve
të Kremlinit moskovit të kom-socave shqiptarë. Prandaj kjo
zhurmnajë shurdhuese do të dëgjohet edhe pas, ta themi dy
dekadave, kur do të kenë vdekur të gjithë “çlirimtarët” e
LDB, dhe ku do të jemi dëshmitarë, unë edhe ti, pasi jemi
kaq të rinj sa ta mbërrijmë atë ditë. Pra, edhe pas 20
vjetësh do të dëgjojmë krrakërima “veteranësh”, të cilëve u
mohohen meritat për “çlirimin”. Dhe a e dini ju përse?
Sepse që tani ata kanë filluar të rekrutojnë “veteranë”
midis freshistësh, të cilët që tani, ish komandantët dhe
ish komisarët e mbetur, po i emërtojnë “korrierë
partizanë”.
Kjo ishte përgjigjia ime për pyetjen tuaj!
Para disa ditësh, pamë një prononcim të një zv/ministri të
Drejtësisë, i cili në një takim me të huajt, u ankua për
korrupsionin në sistemin gjyqësor dhe në të gjithë rangjet
e administratës. A mendoni se ka të drejtë një funksionar
qeverie në atë rang, t’u ankohet ende të huajve për
korrupsionin?
Eshtë evidente që krahas arritjeve dhe personave me
integritet moral, në sistemin gjyqësor, dhe në pjesë më të
madhe të administratës, ka ekzistuar korrupsioni. Unë besoj
se përveç integritetit moral si person, z.Berisha ka ditur
të përzgjedhë në kabinet njerëz me moral. Por do të gjykoja
se zv/ministri i Drejtësisë, apo i gjithë stafi i
dikasterit, përfshirë edhe titullarin, përpara se të bëjnë
ankesa, duhet të shfrytëzojnë të gjitha hapësirat që u
garanton ligji, për të pastruar administratën nga të gjithë
të korruptuarit, gjë që do ta ngrinte lart imazhin e
qeverisë, do të shtonte besimin e njerëzve karshi saj, e do
ta shpëtonte përfundimisht nga ky kancer që është
korrupsioni. Një burrë i mënçur thotë: “Fjalët e forta janë
të mira, por një veprim i fortë do të ishte i
mirëpritur...”.
Megjithatë, me këtë administratë aktuale me të cilën po
qeveris PD-ja, do ta ketë shumë të vështirë ta luftojë
korrupsionin, sepse ai është brenda saj.
Ju faleminderit!
Intervistoi Zamir Gjurgji
F3
In memoriam
Ndërroi jetë Dr. Safete Juka
Nga Enis DIZDARI
Dr. Safete Sofia Juka, një intelektuale e shquar, një bijë
e nderuar e qytetit të Shkodrës, me banim në Amerikë, e
edukuar me dashurinë për atdheun, para se të ndërrojë jetë
ka lenë amanet për t’u varrosur në qytetin e saj, pranë
njerëzve të saj.
Për t’i dhënë lamtumirën e fundit kësaj eruditeje të madhe
shqiptare dhe patriotje atdhetarje që mbrojti çeshtjen
shqiptare në përgjithësi dhe çeshtjen e Kosovës në veçanti,
moren pjesë një numër i madh qytetarësh, intelektual dhe
intelektuale, Prefekti i Shkodrës Prof.Gjovalin Kolombi,
deputetë të Shkodrës, Kryetari i Qarkut z.Lorenc Luka,
etj.. Vendosi kurorë kryetari i PLL z.Ekerem Spahija. Në
emër të “Gruaja intelektuale shkodrane” mbajti një fjalim
z.Zenepe Dibra për jetën dhe veprën e kësaj intelektuale
dhe bije Shkodre, si dhe vendosi kurore.
Ndërsa familja Juka përcolli një mesazh të cilin po e japim
më poshtë të plotë.
Po shkruante për Kosovën...
Me një rreze hyjnore, papritmas ndërroi jetë në Nevv York
Dr. Safete Sofia Juka. Profesore universiteti, autore
librash, piktore, arkeologe, poete, gjithashtu edhe
bamirëse, vajza e Sadete e Musa Juka (Kryetar i Bashkisë
Shkodër, 1916-1925, Ministër i Punëve të Mbrendshme
1925-1939).
Përkushtuar thellësisht dhe denjësisht çështjes së Kosovës
e Shqipërisë.
Po mbaronte së shkruari në anglisht librin e tretë për
Kosovën kur vdekja e rrëmbeu.
Sipas dëshirës së saj, vorrimi u bë në Shkodër. Me dhimbje
të madhe e me respekt të veçantë, far e fis e populli i
Shkodrës e pritën dhe e përcollën në vorrezat e Shkodrës,
të dielën me 20 nandor 2005.
Prehet tashti pranë prindërve e vllait Fiqretit.
Shpirti i Safetes Tonë, qoftë në dritën, bukurinë, paqen e
HIRIN E PERËNDISË!
Familja JUKA
Spahiu: Takime në Shkodër dhe Lushnje
Megjithë vështirësitë e stinës, legalistët vazhdojnë
aktivitete të ndryshme partiake, veçanërisht në drejtim të
konsolidimit të praktikave organizative.
Më datë 22 nëntor 2005, kryetari i PLL z.Ekrem Spahiu ishte
në Shkodër, me ç’rast sëbashku me një grup legalistësh, i
shprehën ngushullimet e rastit në emër të Mbretit Leka i
Parë dhe legalistëve, familjes Juka, e cila humbi njeriun e
saj të dashur zonjën Servete Musa Juka.
Z.Spahiu me këtë rast zhvilloi edhe një takim pune me
drejtuesit e degës së PLL Shkodër, gjatë të cilit kryetari
i degës z.Ilir Kuka i bëri të ditur kryelegalistit
përpjekjet e legalistëve shkodranë për të kapërcyer
situatën paszgjedhore dhe për ta hedhur vështrimin drejt
organizimit të strukturave në të gjithë shtrirjen
gjeografike të rrethit, me qëllim që në zgjedhjet e
ardhshme vendore të vitit 2006, legalistët shkodranë të
korrin frytet e punës dhe të mbështetjes nga elektorati i
shumtë legalist i këtij rrethi.
Gjithashtu z.Spahiu, më datën 25.11.2005 zhvilloi një takim
pune me drejtuesit kryesorë të degës së PLL Lushnje.
Zotërinjtë Shpëtim Axhami - kryetar, Agim Bega – nënkryetar
dhe Sokol Sina – sekretar i degës, bënë një përmbledhje të
punës që kjo degë ka zhvilluar që nga konferenca. Sipas
tyre, kjo punë është përqëndruar në evidentimin e
anëtarësisë në të gjitha nëndegët dhe seksionet e PLL.
Në këto takime z.Spahiu përgëzoi të pranishmit për punët e
kryera pavarësisht vështirësive të shumta me të cilat ato
përballen. Gjithashtu kryelegalisti shfrytëzoi rastin për
të prezantuar aktivitetin e kryesisë së partisë në
përgjigje të zhvillimeve aktuale politike në vend dhe në
përmbushje të detyrave që i dalin PLL në këtë situatë.
Legalistët kanë kërkuar në konferencë shtypi, të fshihet
“festa” 29 nëntor
Deklaratë për mediat e Zëdhënësit Politik të PLL z.Astrit
Kola
29 Nëntori është festa e stalinistëve shqiptarë
Enveristët e djeshëm, socialistë të sotëm, le ta festojnë
këtë datë të mallkuar në shtëpitë e tyre... Meqë jemi në
demokraci... le të pranojmë që ata, bashkë me sllobodanët
dhe vojisllavët e Serbisë, ta festojnë festën e tyre të
Serbosllavisë së AVNOJ-it në Beogradin që dikur e bënë
qendër pelegrinazhi për bekimin e pushtetit
PLL ka ndjekur dhe po ndjek me shqetësim debatin absurd të
kohëve të fundit për të ashtuquajturën datë të çlirimit të
vendit. Ajo e konsideron qesharak dhe fyes këtë debat, sa
kohë që trojet shqiptare që përbëjnë shumëfishin e
Shqipërisë administrative, janë sot nën administrim të
huaj.
PLL vlerëson se kërkesa për të mbajtur si datë të çlirimit
29 nëntorin e AVNOJ-it që shenjtëroi Serbosllavinë, është
një sfidë e hapur për Kosovën shqiptare dhe gjakun e
shqiptarëve derdhur atje për 13 shekuj. Dhe kjo bëhet bash
në prag të Pavarësimit të Kosovës nga serbët, këta aleatë
të djeshëm e të sotëm të pretendentëve për çlirimtarë, që
datën e pushtet-marrjes së përgjakshme kërkojnë të na e
imponojnë si datë çlirimi.
Legalistët dhe mbarë nacionalistët, nuk mund të harrojnë
tradhtinë kombëtare të aleatëve shqipfolës të rankoviçëve,
mugoshëve e popoviçëve, të cilët prenë në besë dhe
çarmatosën kosovarët, për t’ua dorëzuar më pas gjakatarëve
serbosllavë, që bënë masakra të pashembullta para syve të
Ramiz Aliagoviçit dhe peçëve e poçave gjakatarë. Ata
gjithashtu nuk mund ta harrojnë masakrën e Tivarit, ku u
masakruan 5 mijë bij të Kosovës martire, preludi i së cilës
filloi para hundës së Enverit dhe sllavo-maqedonasit Koçi
Xoxe, në tokën e Shqipërisë Londineze, ku u masakruan 1
mijë djem të autokolonës që po dërgohej në thertoren e
Tivarit.
PLL konsideron se lufta në fjalë ka qenë Luftë
Nacional-Çlirimtare vetëm për nacionalistët, që mbanin
simbolet kombëtarë në uniformë (flamurin e kuq me
shqiponjën dykrenore), ndërsa për enveristët ajo ishte
luftë për vendosjen e diktaturës komuniste, sipas
direktivave të Moskës dhe Kominternit, çka e dëshmon edhe
ylli i kuq me 5 cepa mbi bustinat sllave, që ishte simbol i
një bote internacionalisto-komuniste.
Nëse për enveristët kjo datë shënon festën e marrjes së
pushtetit me luftë civile, për shqiptarët atdhetarë ajo
shënon datën e pushtimit ideologjik dhe të instalimit të
diktaturës më gjakatare.
Ata që shkuan në luftë “Za Tito, za Stalina” (Për Titon,
për Stalinin), e që i pritën aleatët britanikë me bajoneta
në Sarandë, aleancat e tyre i firmosën me serbo-sovjetikët,
që i pritën me parada dhe i vunë në krye të qeverisjes së
tyre rrënimtare.
PLL i konsideron qesharake rrekjet e disa të ashtuquajturve
veteranë lufte për të impresionuar shtetin e ri demokratik
me gjoja emocione të luftëtarëve, që nuk kanë vrarë
okupatorë, përveçse bashkatdhetarë.
Edhe vetë kryesocialisti i sotëm, në turravrapin për të
ndërtuar një varrezë gjermane në kodrat e Liqenit
Artifiacial, nuk gjeti asnjë gjerman të vrarë për ta kallur
atje.
Të gjithë shqiptarët e dinë se deri në ditën e fundit të
qeverisjes, social-enveristët e konsideruan Serbinë si
shtet kufitar dhe vunë firma në marrëveshjet që e
sanksiononin Kosovën si pjesë të Serbisë, dhe pozuan
triumfalisht krahas ujk-drashkoviçëve të ultranacionalizmit
serbomadh.
Gjatë kohës së Luftës së Kosovës, nacionalisti Azem Hajdari
akuzoi publikisht në parlament se “... nuk mund të gjesh
qoftë edhe një social-komunist të vetëm, që të ketë marrë
në shtëpinë e tij familje kosovare”. Kësaj akuze askush nuk
iu përgjigj! Dhe nuk kishte sesi, sepse më i larti vlerësim
që ata kishin dëgjuar prej Enverit të tyre, ishte pohimi
“... sot prita vëllezërit kinezë dhe disa miq kosovarë...”.
Ata që kënduan në kor këngën “Druzhe Tito, mi ti se
kunemo...” (Shoku Tito, të betohemi...), për pak na bënë
“Republika e shtatë e Jugosllavisë”, pasi e shpallën Titon
“Kryetar të PKSH”, pasi vendin e shndërruan në koloni të
Beogradit dhe në shkolla futën me detyrim mësimin e
serbishtes për t’i ndihur procesit të
“Bashkim-vëllazërimit” dhe aderimit në Federatën Jugosllave
e më pas në Federatën Ballkanike me kryetar Titon.
Askush nuk i ndalon enveristët e djeshëm, socialistë të
sotëm, të festojnë këtë datë të mallkuar në shtëpitë e
tyre, mbi varrin e Enverit e bashkëpunëtorëve të tij.
Meqë jemi në demokraci, do të dëshmojmë aq tolerancë sa të
pranojmë që ata, bashkë me sllobodanët dhe vojisllavët e
Serbisë, ta festojnë festën e tyre të Serbosllavisë së
AVNOJ-it në Beogradin që dikur e bënë qendër pelegrinazhi
për bekimin e pushtetit. Ne sërish nuk jemi kundër që ata,
me kuç e me maç, edhe sot, pas vendosjes së pluralizmit, me
pelegrinazhe të organizuara e të paguara nga pushtetet me
paratë e shqiptarëve, të marrin pjesë në zijafetet e
Beogradit, çdo 29 nëntor e 8 mars, sikundër kanë bërë me
gratë dhe vajzat socialiste, në gjurmët Nexhmijes,
Fiqiretit dhe Ollga Plumbit.
Vetëngrefosja butaforike e enveristëve tanë për gjoja
aleanca me Aleatët e Mëdhenj fitues të LDB, pa kurrfarë
dokumenti të firmosur, është thjesht një përpjekje mjerane
për të rrëmbyer atu-në e “fitimtarit-çlirimtar”, me të
cilën i japin të drejtën vetes për të kërkuar pushtetin për
bijtë, që i ushqyen dhe i rritën me “Rrezikun
Anglo-amerikan për Shqipërinë”, ndërkohë që sot janë
vetëshpallur aleatë të Anglo-amerikanëve.
PLL konsideron se kombit shqiptar i duhen aleatë të vërtetë
dhe jo tribuna ku pozohet pranë aleatëve të Demokracive
perëndimore për qëllime përfitimi politik.
Nuk jemi ne shqiptarët, ata që bënë luftërat botërore. Ne
thjesht jemi dhe kemi qenë viktima të tyre. Janë Fuqitë e
Mëdha ata që përcaktojnë fituesit aleatë dhe të humburit
kundërshtarë. Rasti i 9 Majit në Moskë, ku në tribunën
kryesore, krahas Bushit e Putinit, qëndronin edhe Shrëderi,
Berluskoni dhe Koizumi, është tejet domethënës.
PLL i kërkon kryeministrit Berisha, që të përdorë
autoritetin dhe të ushtrojë të gjitha kompencat ligjore e
ekzekutive për fshirjen dhe zhdukjen nga kalendari kombëtar
i festave tona të shënuara – e 29 nëntorit, kësaj feste të
serbëve, që përfaqëson kremtimin e institucionalizimit dhe
shenjtërimit të Serbosllavisë komuniste, si trashëgimtare e
denjë e Jugosllavisë së Versajës, që u ngritën mbi trevat
tona etnike dhe mbi lumejtë e gjakut të martirëve të
shqiptarizmës.
Tiranë, më 25.11.2005
========================================================
-----------------------------------------------------------------------------------------
Faqe 4-5
Legalistët përkujtojnë 62-vjetorin e Kongresit të
Zall-Herrit
21 nëntor 1943 - 21 nëntor 2005
Tiranë – Legalistët e Tiranës kanë përkujtuar me një tubim
të zgjeruar, Kongresin e Zall-Herrit, ditën e diel që shkoi
(datë 20 nëntor 2005) në sallën e konferencave të Muzeut
Historik Kombëtar. Në këtë tubim morën pjesë veteranë të
nderuar të Lëvizjes Legaliste, dëshmitarë direktë të asaj
ngjarjeje madhore, krerët më të lartë të PLL, përfaqësues
nga parti politike të djathta e antikomuniste, drejtues e
anëtarë të shoqatave të të persekutuarve nga komunizmi,
studiues të ndryshëm dhe qindra përkrahës të Monarkisë në
Tiranë. Ky tubim ishte organizuar nga dega e PLL Tiranë, ku
një kontriut madhor ka pasur kryetari i degës z.Nevruz
Ndregjoni, si dhe nënkryetari z.Hamit Kurti, por edhe të
tjerë drejtues të kësaj dege.
Tubimin e çeli z.Nevruz Ndregjoni, i cili në praninë e
mjaft mediave vizive e të shkruara, mbajti një fjalë
konçize e mjaft me ndjenjë për këtë përvjetor të shënuar të
Legalitetit. (Fjalimin e tij të plotë e botojmë në këtë
numër gazete). Në fund të fjalës së tij, ai prezantoi para
pjesëmarrësve, edhe një prej zonjave më të nderuara të
shtresës antikomuniste e legaliste, Hyrije Dostin (Kupi), e
bija e gjeneralit Abaz Kupi, e cila ishte ftuar të merrte
pjesë në panelin drejtues të këtij tubimi.
Pas z.Ndregjoni, fjalën e morën me radhë disa veteranë e
dëshmitarë okularë të Kongresit të Zall-Herrit, si Akil
Murat Basha dhe Shaqir Trimi. Në fjalën e tij piktoreske,
z.Basha theksoi disa momente të kësaj ngjarjeje, siç ishin
kushtet historike që nxitën nevojën e krijimit të OKLL
(Organizatës Kombëtare Lëvizja e Legalitetit) më 21 nëntor
1943, organizatorët e këtij Kongresi, krerët drejtues të
saj, ndër të cilët ai përmendi mbi një duzinë emrash të
shkëlqyer si nga kontributi patriotik, ashtu edhe nga
përgatitja intelektuale; mënyra e organizimit të OKLL si
grup politiko-luftarak, shtypin dhe propagandën që bënte
dhe disa prej aksioneve kryesore të zhvilluara nga
formacionet e Legalitetit. Fjala e z.Akil Basha u dëgjua me
mjaft vëmendje dhe në fund u duartrokit mjaft nxehtë,
sidomos kur ai u shpreh se “legalistët, më para se të jenë
zogistë, janë nacionalistë”.
Pas tij e mori fjalën një veteran tjetër i shkëlqyer i
lëvizjes legaliste, z.Shaqir Trimi, i cili, megjithë moshën
mjaft të shtyrë dhe gjendjen shëndetësore mjaft të dobët,
ishte përgatitur seriozisht për këtë ditë, për t’u kumtuar
legalistëve dhe opinionit shqiptar, disa prej mesazheve që
dha Kongresi i Zall-Herrit. Veterani Shaqir Trimi nisi
fjalën e tij me pohimin se “ishte më i vjetri tashmë ndër
legalistët që kanë qenë në atë ngjarje” dhe si i tillë ai
do të orvatej t’u thoshte të gjithë monarkistëve, atë që ai
kishte parë e dëgjuar nga ato zhvillime dramatike të viteve
1943-1944. Duke folur për rolin e Legalitetit dhe sidomos
në misionin që kjo forcë politike kishte, ai tha se
legalistët e asaj kohe u përpoqën maksimalisht që në
Shqipëri të krijoheshin kushtet për zhvillimin e një jete
politike normale pas luftës, dhe sidomos për rikthimin e
Mbretit Zog dhe të Familjes Mbretërore. Fatkeqësisht, tha
z.Shaqir Trimi, dallga e luftës ishte më e madhe sesa
rezistenca e legalistëve dhe në fund të vitit 1944,
sllavokomunizmi ia arriti të rrëmbejë pushtetin. Veterani
Shaqir Trimi solli edhe disa kujtime në lidhje me
aktivitetin e misioneve angleze në Shqipëri, përkthyes i
njërit prej të cilëve ka qenë ai vetë. Ai përmendi me mjaft
respekt personalitetet e Xhulian Emerit, Dejvid Smajlit e
të tjerë. Në fund të fjalës së tij ai e mbylli me një apel
për legalistët që të mos kursehen në përpjekjet e tyre për
rikthimin e monarkisë në Shqipëri. Fjala e z.Trimi u ndoq
me shumë respekt dhe u duartrokit nga gjithë të pranishmit.
Më pas tubimi vijoi me disa kumtesa të përgatitura
posaçërisht për këtë datë historike, të cilat u mbajtën
përkatësisht nga z.Hysen Sinani – Nënkryetar i PLL dega
Tiranë (shkrimtar e përkthyes), z.Neritan Kolgjini -
Nënkryetar i PLL dega Tiranë (gazetar e përkthyes)
njëkohësisht Sekretar për Marrëdhëniet me Publikun i PLL.
(Këto kumtesa po i botojmë të plota në këtë numër gazete).
Fjalën e fundit në tubim e mbajti veterani i njohur z.Ali
Ohri, (kryetar i Senatit të Veteranëve të PLL), i cili
vlerësoi lart këtë ditë të shënuar të historisë legaliste
dhe çmoi përkushtimin e drejtuesve të sotëm të PLL në
respektimin e vlerave historike të Zogizmit. Zotëri Ohri e
vlerësoi Kongresin e Zall Herrit jo vetëm si forumin
atdhetar që risolli në politikën shqiptare partinë
themeluese dhe origjinuese të parlamentarizmit shqiptar,
por edhe partinë e idealeve të mëdha, të sendërtuara e
mishëruara në filozofinë shtet-formuese e shtet-drejtuese
të përfaqësuara denjësisht para dhe gjatë kohës së
Mbretërisë Shqiptare nga i Madhi Ahmet Zogu. Dhe në mbyllje
të fjalës së tij emocionuese, z.Ohri falenderoi
organizatorët e këtij tubimi për cilësinë e lartë të
organizimit.
Në mbyllje të këtij aktiviteti dinjitoz, e mori fjalën
sërish kryelegalisti kryeqytetas z.Nevruz Ndregjoni, i cili
e vlerësoi këtë aktivitet si një model frymëzimi dhe
inkurajimi për legalistët e kryeqytetit, të cilët, tashmë
të ndërgjegjësuar për vlerat historike që mbrojnë e
përfaqësojnë, do të jenë më të motivuar në punën e tyre
fisnike për rritjen e përfaqësimit dhe vlerave të
Legalitetit, si edhe të rezultateve zgjedhore, sidomos në
zgjedhjet e ardhshme vendore të vitit 2006.
Pasi falenderoi pjesëmarrësit dhe të ftuarit për praninë e
tyre, z.Ndregjoni njoftoi përfundimin e këtij tubimi
dinjitoz dhe cilësor për nga organizimi dhe pjesëmarrja.
Fjala e z.Neritan Kolgjinit në 62 vjetorin e Kongresit të
Zall-Herrit
Disa veçanësi të Lëvizjes Legaliste
Të nderuar zonja e zotërinj
Eshtë një kënaqësi e veçantë të flas sot para jush për
kongresin themelues të Lëvizjes Legaliste zogiste, të 21
nëntorit 1943, të pagëzuar me emrin Kongresi i Zall Herrit.
Kjo veçanti vjen për shkakun se mbroj bindjen që tiparet
kryesore politike të kësaj Lëvizjeje, dhe emrat që kanë
milituar në të, i japin një hijeshi të veçantë gjithë
historisë sonë kombëtare, e jo vetëm asaj të partive
politike. Historiogafia shqiptare, nga ana tjetër, duhet ta
pranojmë se i është shumë borxhlie këtij evenimenti
historik. Me këtë rast bëjmë apel që qendrimi mohues e i
heshtur i instituteve të historisë dhe atyre të edukimit,
ndaj Kongresit të Zall Herrit, të marrë fund. Lëvizja
Legaliste ka qenë një pjesë e lavdishme e historisë sonë
dhe pa të, historia shqiptare do të dilte e mangët.
Nga disa studiues të historisë e jo veç të saj, kam
konstatuar shqetësimin se materialet burimore e dokumentare
janë të pakëta për këtë ngjarje. Mund të jetë pjesërisht
ashtu, por megjithatë, ka disa fakte që flasin shumë, pa
pasur nevojë të dokumentohen në shkresurina. Ja ta zëmë,
lidhur me rezistencën e 7 prillit 1939, nuk ka pasur
raporte të hollësishme për ngjarjet, por të gjithë e dinë
heroizmin e saj. Kështu edhe Kongresi i Zall Herrit.
Gjithsesi, në këtë datë historike të lëvizjes zogiste siç
është krijimi i Organizatës Kombëtare Lëvizja e Legalitetit
- OKLL, ajo që më bën përshtypje të fortë, duke e vështruar
në kohë, është deklarata e heroit të 7 prillit, Abaz Kupit,
në Njoftimin e Posaçëm datë 24 dhjetor 43, - se: “Për
shpalljen e Legalitetit nuk ka qenë nevoja të baj as ma të
voglën propagandë e përpjekje, sepse ajo ekzistonte dhe nuk
ka qenë shue kurrë ndjenja e saj në shumicën e popullit
shqiptar”.
Këto fjalë, të nderuar zotërinj, nuk janë propagandë e as
retorikë politike, por një realitet që konfirmohet nga
faktet, ndër të cilët kryesori është ai që na thotë se Abaz
Kupi doli nga Fronti Nacional Çlirimtar më 19 nëntor 1943,
ndërsa 2 ditë më vonë merr pjesë në organizimin e Kongresit
të Zall Herrit. Kjo do të thotë që Abaz Kupi, megjithëse
ishte anëtar i Frontit, nuk e kishte humbur prestigjin e
tij si përfaqësues i lëvizjes zogiste, ndërsa suksesi i
Kongresit të Zall Herrit, vërteton fjalët e tij se “kam
qenë unë, - pra Abaz Kupi – ai që e kam pengue shpalljen e
Legalitetit”. (Njoftimi i Posaçëm, i datës 24 dhjetor
1943).
Historia e Lëvizjes Legaliste ka mjaft momente që të nxisin
për t’u thelluar, por në tërësi, Kongresi i Zall-Herrit
paraqet një moment mjaft interesant për t’u përqendruar. Jo
vetëm nën petkun e një historiani, por edhe të një
studiuesi të disiplinave të tjera.
Kështu, pa mëtuar të hyjmë në këto hulli historike, duke e
vështruar këtë ngjarje edhe nga pozita e një pasuesi
politik, nuk mund të mos na bien në sy disa veçanësi në
historinë e Lëvizjes së Legalitetit, që prej vitit 1943 e
deri më sot.
Së pari, për vetë emrin e tij, Legaliteti në gjithë
veprimtarinë e tij, është përpjekur të jetë sa më i hapët e
legal, dhe jo konspirativ e hileqar. Kjo duket, qoftë në
bashkëpunimin në vitet e para të Luftës Antifashiste me
forcat e tjera në konferencat e Pezës, Mukjes, Lurës etj.,
qoftë në aktivitetin e tij në diasporë, me Komitetin
Shqipëria e Lirë etj..
Së dyti, ajo që bie në sy në aktivitetin e Lëvizjes
Legaliste (zogiste) është fakti se që prej krijimit të saj,
nuk janë shënuar dalje fraksionesh apo përçarje në këtë
formacion politik. Kjo veçori bëhet është më e rëndësishme,
po ta përqasim këtë sjellje politike të Lëvizjes Legaliste,
me partitë e tjera, bashkëmoshatare të saj si Balli
Kombëtar e Partia Komuniste, të cilat kanë shënuar shumë
fraksione e ndarje.
Së treti, ajo çka e ka dalluar Lëvizjen Legaliste që prej
fillesave të saj, e më vonë kur u organizua si formacion i
plotë politiko-luftarak, është lidhja e fortë me botën
perëndimore e demokratike, por kryesisht lidhjet me
politikën britanike. Kujtimet e mjaft diplomatëve e ish
oficerëve britanikë, hedhin dritë mjaftueshëm mbi këtë
fakt. E jo si Partia Komuniste, që ishte e lidhur me serbët
e sovjetikët.
Së katërti, po të shohësh programin dhe statutin e Lëvizjes
Legaliste, do të dallosh një konsekuencë habitëse të
shtyllave të tij. Ato çka kanë qenë bazat e politikës
legaliste në vitin 1943, ato janë edhe sot. Do të mjaftonte
të shfletoje gazetën “Atdheu” të vitit 1943, për të formuar
një bindje të patundshme rreth kësaj. Shqipëria etnike dhe
monarkia shqiptare kanë qenë dhe janë baza e politikës
legaliste.
Së pesti, Lëvizjen Legaliste zogiste e themeluan
ekskluzivisht shqiptarët, kurse kundërshtarët e saj
politikë, u krijuan me asistencën e armiqve shekullorë të
shqiptarëve. Do të mjaftonte ky fakt që shqiptarët ta
nderonin përjetësisht këtë moment historik të tyrin, i cili
na shërben si një model i së mirës, për të sotmen e për të
ardhmen.
Së gjashti, Lëvizja Legaliste, qysh në themelimin e saj, e
për shumë kohë më pas, ka përfshirë në gjirin e vet,
personalitete të vërteta të jetës politike e shtetërore të
Shqipërisë. Do të mjaftonte këtu të shihnim emrat themelues
të OKLL-së për të mbajtur një qendrim thellësisht nderues
për Lëvizjen Legaliste. Emrat e kryeparlamentarit të parë
shqiptar Xhemal Najpi, të Ndoc Çobës, Rauf Ficos, Gaqo
Gogës, Osman Myderrizit e mjaft e mjaft të tjerëve,
tregojnë për spesorin politik e intelektual që paraqiste
Lëvizja Legaliste që në vitin 1943.
Së shtati, Lëvizja Legaliste, është e para forcë politike,
dhe ndoshta e vetmja që mbledhjen themeluese të saj,
kuvendin e parë, e quan Kongres. Këtë gjë nuk e kemi parë
as në forcat politike të asaj kohe, madje, as sot nuk
shohim një kongres që të themelojë një parti. Partitë e
tjera janë themeluar nëpër “shtëpi partie” e nëpër bodrume,
në fshehtësi e klandestinitet të plotë.
Si konkluzion të këtyre çfarë përmenda më sipër, dua të
them se Levizja Legaliste zogiste është një gur themeli i
shkëlqyer i traditës politike të shqiptarëve. Kongresi i
Zall Herrit është një moment historik që e pasuron së
tepërmi kulturën politike të shqiptarëve. Dhe kur
shqiptarët të vetëdijësohen për vlerat e Lëvizjes
Legaliste, atëherë kemi arsye të besojmë se gjërat do të
ecin shumë më mirë sesa sot.
Ju faleminderit
Fjala e z.Hysen Sinani në 62 vjetorin e Kongresit të
Zall-Herrit
Koha e vërtetë e Lëvizjes së Legalitetit
Unë vij përpara jush nga bota letrare shqiptare, i
paangazhuar në asnjë parti politike, as atëherë kur vendi i
punës, si redaktor në Lidhjen e Shkrimtarëve, ma kërkonte
një gjë të tillë. Nuk desha, sepse nuk e doja komunizmin
dhe e urreja regjimin e Enver Hoxhës.
E përshëndeta menjëherë Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar të
shpallur nga Mbreti Leka dhe, bashkë me një grup miqsh
intelektualë, u angazhova seriozisht në këtë Lëvizje. U
angazhova, sepse te Mesazhi i Mbretit shikoja aspiratat e
mia për ta parë më në fund vendin në rrugën e drejtë të
shtetit dhe të ligjit, ashtu siç e kishte vendosur më parë
Mbreti Zog i Parë.
Këtë Lëvizje, unë e kisha identifikuar me Partinë e
Legalitetit, prandaj edhe në mbledhjen e parë të Këshillit
Drejtues, shpreha mendimin që kjo lëvizje kombëtare të
bazohej mbi strukturat e Legalitetit, duke i zgjeruar aty
ku ishin dhe duke i krijuar aty ku mungonin... Por punët u
bënë ndryshe dhe rezultati elektoral qe ai që e dimë të
gjithë.
Sot, në kushtet ku ndodhet vendi ynë, në aktualitetin e
rënduar dhe kaotik të politikës sonë që pritet të
përkeqësohet, mund të them se ka ardhur koha e vërtetë e
Lëvizjes së Legalitetit.
Legalitet është një fjalë e bukur frënge, që në kuptimin e
saj të parë ka respektin skrupuloz për ligjin.
Por, më duket se ky respekt për ligjin është quajtur si një
pronë vetëm e ruajalistëve, që synojnë rikthimin e
monarkisë. Këtë synim e ka në pikën e parë të programit të
saj Partia Lëvizja e Legalitetit dhe nuk mund të ndryshojë.
Fjalën këtu e kam për zgjerimin e frymëmarrjes së partisë,
duke ia njohur të drejtën për aspirata kombëtare të gjithë
atyre zogistëve dhe monarkistëve të padeklaruar, të cilët
nuk mund ta pranojnë tranzicionin post-komunist të
Shqipërisë dhe sytë i kanë nga ne.
Prandaj, ne sot duhet të bëhemi më të dukshëm se kurrë,
domethënë më aktivë dhe më të hapur në propagandimin e
ideve tona, si alternativa e vetme serioze që të çon tek
shteti ligjor dhe monarkia kushtetuese.
Për të arritur këtë, sot Legalitetit i kërkohet, para së
gjithash, (madje më parë se paratë dhe mjetet që i duhen
një partie të madhe), një kuptim më i drejtë për traditën e
saj të pasur politike, traditë e cila na ka mbledhur sot
këtu. Paraqitja nga ana jonë e vlerave të vërteta kombëtare
të kësaj tradite, të mishëruara më mirë se kudo te Lëvizja
e Legalitetit, do ta bënin edhe vetë partinë të dukej ajo
që është: moderne, e hapur për aspiratat kombëtare dhe
ndryshimin e vërtetë të Shqipërisë
Rroftë Shqipëria!
Rrroftë Mbreti Leka!
Rroftë Lëvizja e Legalitetit!
Fjala e z.Nevruz Ndregjoni, kryetar i Degës PLL Tiranës në
62 vjetorin e Kongresit të Zall-Herrit
Kongresi i Zall-Herrit, ngjarje historike me karakter
kombëtar
Nevruz Ndregjoni: Detyra jonë sot në këto kushte, është jo
thjesht përkujtimi i traditave atdhetare politike të
legalistëve dhe monarkistëve shqiptarë, por edhe ngritja në
një nivel më të lartë të punës së PLL-së, si parti serioze
dhe formacion politik i organizuar i gjithë lëvizjes
monarkiste shqiptare, e cila synon vendosjen e Monarkisë me
në krye Mbretin Leka I Zogu.
Të nderuar miq dhe të ftuar!
Të nderuar drejtues të lartë të PLL dhe zotërinj legalistë!
Kam nderin e madh, që në cilësinë e kryetarit të Degës së
Tiranës së Partisë Lëvizja e Legalitetit dhe birit të
njerit prej delegatëve të atij kongresi, të hap këtë tubim
përkujtimor, që i kushtohet një dite të rëndësishme për të
gjithë monarkistët.
Më 21 Nëntor 1943, plot 62 vjet më parë, u mbajt në
Zall-Herr të Tiranës, Kongresi i Parë i Legalistëve dhe pas
punimeve të këtij kongresi, ku morrën pjesë delegatë nga të
gjitha rrethet e Shqipërisë, u formua OKLL (Organizata
Kombëtare e Lëvizjes së Legalitetit).
E përkujtojmë sot këtë ditë të shënuar në prani të shumë
legalistëve dhe simpatizantëve monarkistë, duke vlerësuar
rolin e veçantë të kësaj ngjarjeje historike me karakter
kombëtar.
Kongresi i Zall-Herrit ishte përpjekja e hapur dhe publike
e të gjithë nacionalistëve shqiptarë legalistë për të pasur
një Shqipëri jo vetëm të çliruar nga nazifashistët, por
edhe një Shqipëri ku të mbretëronte shteti ligjor, rendi
dhe siguria kombëtare.
Në atë kongres u përcaktuan, së pari: Rithemelimi i PLL si
parti politike që do të drejtonte politikisht gjithë
veprimtarinë e saj në kushtet e reja të krijuara gjatë
Luftës së Dytë Botërore.
Së dyti, shtrirja e partisë në të gjithë hapësirën
kombëtare shqiptare dhe institucionalizimi i marrëdhënieve
me faktorët politikë nacionalistë brenda e jashtë vendit,
me qeveritë monarkiste dhe me faktorët politikë e
ushtarakë, aleatë anti-fashistë, në kontinent dhe më gjërë.
SĂ« treti, krijimi dhe shtrirja territoriale e formacioneve
ushtarake të Legalitetit me komandant të përgjithshëm të
ushtrive të Legalitetit gjeneral Abaz Kupin.
Së katërti, t’i jepej përparësi krijimit të një Shqipërie
indipendente, ruajtjes së tërësisë tokësore të Shqipërisë
londineze dhe shtetit shqiptar, të njohur nga Konferenca e
Paqes së Parisit, shfrytëzimit të të gjitha shanseve për
zgjidhje të pjesshme dhe të plotë të çështjes kombëtare në
Konferencën e Paqes së paslufës, dhe mbi të gjitha,
ndërtimi i një shteti demokratik, në bazë të të cilit të
ishte Monarkia kushtetuese me Mbretin Zog I në Fron.
Detyra jonë sot në këto kushte, është jo thjesht përkujtimi
i traditave atdhetare politike të legalistëve dhe
monarkistëve shqiptarë, por edhe ngritja në një nivel më të
lartë të punës së PLL si parti serioze dhe formacion
politik i organizuar, i gjithë lëvizjes monarkiste
shqiptare, që synon vendosjen e Monarkisë me në krye
mbretin Leka I Zogu.
Në këtë datë përkujtimore, ne vlerësojmë me nota të larta
kontributet madhore të të gjithë veteranëve legalistë, të
cilët kanë qënë dhe mbeten frymëzuesit e brezit tonë më të
ri, për të qenë edhe ne pjesë e rëndësishme e politikës
shqiptare.
Për të pasqyruar vlerat dhe rolin e madh të kësaj ngjarjeje
madhore që përkujtojmë sot, më lejoni t’ia jap fjalën
vajzës së Gjeneral Abaz Kupit, zonjës Hyrije Kupi.
Ju faleminderit.
Fjala e z.Murat Basha, në simpoziumin e Shoqatës Atdhetare
për Identitet dhe Bashkim Kombëtar
Rilindja kombëtare, brerore lavdie e nacionalizmit shqiptar
Nga Murat BASHA
Pavarësisht dobësive të shfaqura e të pranuara për
jetësimin praktik të shtet-formimit, për çka edhe jemi
akuzuar e vazhdojmë të akuzohemi nga armiqtë tanë historikë
- në planin ideor e konceptual, rilindasit tanë të mëdhenj
na kanë lënë një trashëgimi të shkëlqyer. Mësuesit tanë të
pagabueshëm të shqiptarizmës, ishin dhe mbetën prekursorë
gjenialë të programit dhe platformave konkrete të mbrojtjes
dhe zgjidhjes fundore të çështjes sonë kombëtare. Pikërisht
ky është edhe shkaku madhor që ka iniciuar dhe frymëzon
sulmet e egra e të artikuluara në nivel akademik, nga
ustallarët serbë e grekë të mendimit filozofik,
gjeo-politik e strategjik.
Janë pikërisht rilindasit tanë të mëdhenj dhe i
ashtuquajturi program i tyre paragjykuar i “Shqipërisë së
Madhe”, ato që prej 130 vjetësh sulmohen me mjetet më
brutale dhe sipas skemave shtetërore, politiko-diplomatike
e ushtarake, të sponsorizuara fuqimisht nga shovinistët
fqinjë dhe Fuqitë e Mëdha, protektore, suportuese dhe
aleate të hapura të tyre. Dhe kjo sepse platformë-programi
i Rilindjes sonë kombëtare ishte përgjigjia adekuate më e
shkëlqyer dhe më e argumentuar, ndaj krijesave monstra
ideologjike e politike të Naçertanies dhe Megali-idhesë.
Kaq absurde janë sulmet e strategëve serbo-grekë ndaj
programit të zgjidhjes së çështjes sonë kombëtare, saqë
bashkërisht dhe në sintoni të plotë, ata kanë fabrikuar të
ashtuquajturin “komplot të përbashkët të shqiptaromëdhenjve
me Fuqitë e Mëdha – protektore, Austro-Hungarinë dhe
Italinë, kundër kauzave të Serbisë së Vjetër dhe Epirit
Grek, si djepe të qytetërimit ortodoks serb dhe atij
helen”, thjesht dhe vetëm duke u nisur nga veprat shkencore
të albanologëve të mëdhenj gjermanë, austriakë dhe
italianë.
Fatkeqësisht edhe sot, këto teza famëkëqia antishqiptare,
jo vetëm që janë shpërndarë nëpër të gjitha kanceleritë e
mëdha euro-atlantike, por janë infiltruar edhe si teza
shkencore në programet shkollore të shumë universiteteve,
duke kulmuar me divulgimin e llahtarshëm nëpërmjet
internetit, në të cilin ekzistojnë me qindra sajte që
helmojnë me të pavërteta opinionin e painformuar perëndimor
për të vërtetat e mëdha e tragjike të kombit shqiptar në
Ballkan, komb ndër më të vjetrit dhe origjinues i
qytetërimit europian dhe atij botëror.
Përballë këtij realiteti të njimendtë e virtual, akademikët
dhe studiuesit tanë nuk kanë ideuar kurrfarë platforme, me
pseudo-argumentin e shkarjes në nacionalizëm dhe nën
tundimin e përkujdesjes absurde për të mos “helmuar klimën
e miqësisë e të bashkëekzistencës me popujt fqinjë”.
Ndërkohë që tekstet shkollore dhe botimet serbe e greke
janë të mbushura me urrejtje raciste antishqiptare dhe me
akuza për gjoja genocid shqiptar të organizuar kundër
popujve fqinjë për t’u rrëmbyer trojet e tyre etnike,
tekstet tona shkollore spastrohen edhe nga të vërtetat e
retushuara e të zbutura deri në paturpësi. Nën frymën e “Dy
popujve miq”, pseudohistorianë pa skrupuj kombëtarë, jo
vetëm që mohojnë pushtimet e përgjakshme nga ushtritë greke
edhe të trojeve të Shqipërisë Londineze, por ata kanë
arritur deri aty sa të shkruajnë se “... Petro Nini
Luarasin dhe Papa Kristo Negovanin i vranë kaçakët
tradhtarë shqiptarë...”.
I vetmi regjim ku botimet me frymë kombëtare dhe veprat e
mëdha të Albanologjisë sponsorizoheshin fuqishëm nga shteti
dhe ku familjet e patriotëve të mëdhenj, edhe kur ishin
kundërshtarë politikë, nderoheshin dhe trajtoheshin me
pensione marramendëse – ka qenë dhe mbetet Mbretëria
Shqiptare me Mbretin Zog i Parë.
Gjatë kohës së Mbretërisë, “Lahuta e Malësisë” dhe veprat e
Albanologjisë botoheshin e shiteshin me tirazhe
marramendëse, ndërkohë që shteti sponsorizonte në shifra të
stërmëdha albanologë si Jokli, Stipçeviçi, Paçi dhe
Shuflai, për të vërtetuar shkencërisht autoktoninë dhe për
të evidentuar madhështinë, rolin dhe kontributin e
qytetërimit pellazgjiko-iliro-shqiptar, në gadishull dhe më
gjerë.
Vetëm në kohën e Mbretit Zog, skulptorët e mëdhenj Janaq
Paço e Odhise Paskali realizuan afro 300 monumente,
shtatore e buste, ndërsa piktorët Abdurrahim Buza, Jonuz
Kaceli, Kolë Idromeno, Vangjush Mio e Zef Kolombi,
realizuan afro njëmijë vepra të shkëlqyera, kushtuar
ngjarjeve dhe figurave më madhore të historisë së
shqiptarëve. Dhe të gjitha këto përkundrejt shpërblimeve
dhe honorareve që siguronin të ardhura disa herë më të
larta se ato të deputetëve dhe ministrave të kohës.
Ndërkohë, Himni dhe Flamuri kombëtar, bashkë me to edhe
këngët e shkëlqyera atdhetare që trashëgojmë sot, ishin
simbolet më të shenjta, që jo vetëm kishin fituar të
drejtën e qytetarisë, por ishin bërë lajtmotivi që
frymëzonte jetën shpirtërore dhe ushqente idealet kombëtare
të brezave, pa dallim.
Në këtë rrugë ecën dhe zhvillon veprimtarinë e saj politike
edhe partia ku unë aderoj, si nënkryetar i saj, Partia
Lëvizja e Legalitetit, e cila ka artikuluar mendimin
nacionalist pa frikë nga pasojat dhe pavarësisht trajtimit
të diferencuar negativ - si zë që krijon probleme dhe prish
klimën e miqësisë e të bashkëpunimit brenda vendit dhe në
rajon, akuzë e cila nuk na impresionon aspak, përballë
detyrimit madhor atdhetar, të fiksuar në programin e
themeluesve të saj, program të cilit kjo parti i është
përmbajtur dhe vazhdon t’i përmbahet me konsekuencë.
Ndërsa sot, fatkeqësisht, shteti dhe qeveritë shqiptare, jo
vetëm që nuk kanë përpunuar kurrfarë platforme pune dhe
idesh për zgjidhjen hap pas hapi të çështjes sonë
kombëtare, por dëshmojnë komplekse të turpshme
inferioriteti ndaj fqinjëve, dëshmojnë fobi ndaj tezave dhe
qëndrimeve të nacionaliste, duke u munduar t’i mbysin
mendimin, veprimin dhe retorikën nacionaliste me teoritë
bajate kozmopolite të “integrimit dhe globalizmit”, madje
edhe atëherë kur përfaqësuesit shtetërorë të fqinjëve i
poshtërojnë hapur, ballëpërballë dhe publikisht.
Këta pushtetarë pa integritet moral dhe dinjitet kombëtar,
kanë fshirë nga programet e partive që përfaqësojnë, çdo
artikulim referuar çështjes sonë të pazgjidhur kombëtare,
duke iu vjedhur edhe detyrimeve që burojnë, qoftë edhe
formalisht, nga preambula e Kushtetutës në fuqi.
Kjo është edhe arsyeja e kushtëzimeve të paturpshme që
emisarët e Europës na bëjnë për të drejtat e minoriteteve,
këtej e matanë kufirit, duke na shtyrë deri në marrëzinë e
diskriminimit pozitiv ndaj tyre, si praktika ligjore e
administrative pa precedentë në botë, shëmbulli më
kuptimplotë i të cilit është përfaqësimi i pakicës serbe në
Kuvendin e Kosovës, me shumëfishin e mandateve në raport me
mbështetjen elektorale në përqindje.
Konform skemës së shndërrimit arbitrar të hapësirës
shqiptare në Ballkan në “hapësirë multietnike”, OJQ
(organizata jo-qeveritare) të sponsorizuara nga kanale dhe
lobingje antishqiptare, kanë mbushur zyrat e shtetit dhe
kanceleritë europiane e më gjerë, me raporte që i nxjerrin
shqiptarët minoritet edhe brenda Shqipërisë administrative,
me qëllimin e përgatitjes së kushteve oportune për zbatimin
e skemës së shndërrimit të Shqipërisë në shtet multietnik,
skemë që shumë shpejt do të dalë në shesh.
Edhe mediat shqiptare, ku gjithashtu gëlojnë metastazat e
kozmopolitizmit dhe të sponsorizimeve të dyshimta, janë
bërë artikuluese të këtyre tezave dhe mbytëse të çdo
mendimi nacionalist. Kjo është edhe arsyeja që i vetmi zë
që artikulon tezat e Rilindjes sonë kombëtare dhe të
detyrimit politik për jetësimin e aspiratave të shqiptarëve
për bashkim kombëtar në hapësirën ballkanike, është
ideologu i madh i mendimit dhe i veprimit nacionalist
shqiptar, z.Arbër Xhaferri në faqet e gazetës “Shekulli”,
ku pas çdo shkrimi të tij botuesit gjithmonë shpejtojnë të
vendosin shënimin “Mendimet dhe bindjet e autorit janë
thjesht personale, nuk janë të Redaksisë...”
Ndërsa nga periodikët e mediave të shkruara, vetëm gazeta
“Rimëkëmbja” (personalisht z.Abdi Baleta), dhe gazeta e PLL
“Atdheu”, trajtojnë me nivel të lartë temat e nxehta të
nacionalizmit dhe mendimit politik e filozofik nacionalist
shqiptar, duke hyrë madje deri në polemika e replika me
artikulues të tezave antishqiptare dhe të mendimit
kozmopolit, gjithmonë joshqiptar dhe rëndom progrek e
proserb.
Kjo është edhe arsyeja që ftesën e mikut tim, intelektualit
dhe atdhetarit konsekuent z.Sulejman Abazi, për të marrë
pjesë në këtë aktivitet të mrekullueshëm të Shoqatës suaj
“Adhetare për Identitet dhe Bashkim Kombëtar”, e prita me
kënaqësinë më të madhe, ndaj ndjehem krenar dhe tejet i
emocionuar që flas sot para jush.
Sot nga intelektualët atdhetarë, që kanë mbushur edhe këtë
sallë të nderuar, kërkohet të shpalosin pa komplekse
bindjet dhe argumentat e tyre nacionaliste, të cilat
pavarësisht sensit pexhorativ që bart fjala “nacionalizëm”,
janë dhe mbeten thjesht “kombëtare” e “kombëtariste”.
Në partinë tonë dhe në politikën shqiptare, unë
personalisht, si politikan dhe nënkryetar i PLL, bashkë me
kolegët e mi jam munduar të artikuloj dhe ngjiz idenë e
konservatorizmit modern, si teori pragmatiste e
bashkëkohore, në shtratin e së cilës mund të instalohen
idetë dhe pikëpamjet nacionaliste të programit të Rilindjes
sonë kombëtare, tashmë të zhvilluara e të kultivuara në
kushte dhe kohë të reja, gjithsesi pa iu shmangur
objektivit final: bashkimit kombëtar, si parakusht i
krijimit të shtetit kombëtar shqiptar në hapësirën
ballkanike, në të cilën fqinjët kanë ndërtuar shtetet e
tyre kombëtare në kurriz të trojeve tona etnike.
Ne legalistët mendojmë se vetëm krijimi i shtetit kombëtar
shqiptar mund të realizojë ëndrrën e rilindasve të mëdhenj
dhe mbarë shqiptarëve, si premisë për zgjidhjen e
problemeve të trashëguara etnike dhe për një stabilitet të
qëndrueshëm e aftagjatë, nëpërmjet vendosjes së ekuilibreve
gjeopolitikë, të bazuar mbi fuqinë e kombeve-shtete, mbi
popullsinë dhe territoret homogjene.
Teoria e Konservatorizmit Modern, si teori e konservimit,
trashëgimit, kultivimit të mendimit, traditave, thelbit të
identiteti kombëtar dhe realizimit në praktikë të shteteve
e shoqërive që mbrojnë interesat kombëtare - në kohët
moderne njeh si protagonistë, mendimtarë dhe ideatorë që e
kanë pasuruar, figura të tilla si Margaret Theçer dhe
Ronald Regan, që bënë epokë në politikë dhe në filozofinë e
mendimit politik e gjeopolitik bashkëkohor.
Dhe kjo jo sepse interesat kombëtare të kombeve që ata
përfaqësonin, rrezikoheshin në planin ushtarak, politik,
ekonomik apo çfarëdo! Sepse jo vetëm që nuk ekzistonte një
rrezik të tillë, por ishin pikërisht këta liderë, ata që
udhëhoqën triumfin e Luftës së Ftohtë dhe mposhtën
komunizmin si sistem politiko-ideologjik në pushtet, në
mbarë Lindjen. Por ata vërejtën se idetë e majta, fryma
kozmopolite dhe proceset globalizuese thjesht politike, po
kërcënonin identitetin kombëtar, kulturor dhe fizionominë e
racës anglo-saksone.
Jo më kot baballarët e mendimit politik dhe filozofik
amerikan shpallën “Amerikanizmin” si ideologji dhe
interesat amerikane si “yllin polar” të veprimtarisë së
institucioneve kombëtare të SHBA-ve.
Pra konservatorizmi modern është një instrument i
domosdoshëm për mbrojtjen edhe të kombeve të mëdhenj e të
gjithëfuqishëm, që gjithsesi ndjehen të kërcënuar...
Po ne shqiptarët ç’duhet të bëjmë? Ne duhet t’u rikthehemi
programit dhe ideve të Rilindjes sonë kombëtare, të cilët
duhet t’i shndërrojmë në armë për mbrojtjen e interesave
tona jetike deri në realizimin e aspiratës sonë kombëtare,
por edhe pas saj...
Temat tejet të rëndësishme të këtij simpoziumi dhe trajtimi
i tyre serioz e me një nivel të lartë nga diskutantët, si
dhe rrokja e problematikës së komplikuar të të gjitha
trojeve tona etnike, dëshmon shkallën e lartë të
ndërgjegjësimit atdhetar, si të anëtarësisë së shoqatës
suaj, ashtu edhe segmenteve më atdhetare të inteligjencës
shqiptare, e cila ka kuptuar se, jo thjesht përmbushja e
detyrimeve që buron nga qënia jonë dhe përkatësia etnike,
por, mbi të gjitha, krijimi i një shteti kombëtar shqiptar
plotëson edhe kushtin “sine qua non” të mbijetesës së tij
në kohërat gjithnjë e më të vështira të rivalitetit të
gjithanshëm. Plotëson atë që Arbër Xhaferri e quan
“vetëmjaftueshmëri për mbijetesën e kombit për shkak të
funksionimit të parimit të komplementaritetit të
gjithanshëm, sidomos në planin ekonomik, politik,
gjeopolitik e të fuqisë ushtarake...”.
Sa kohë që luftërat nuk kanë të sosur, sa kohë që
kërcënohet paprerë ekzistenca e kombit shqiptar dhe
sovraniteti është më i rrezikuar se kurrë, sidomos nga
lufta ekonomike që nëpërmjet konkurrencës dhe imponimit të
tregtisë së lirë, synon realizimin e skemave
neokolonialiste – neve duhet të ndërgjegjësohemi më shumë
se kurrë për atë se ç’jemi aktualisht(?),
ç’përfaqësojmë(?), çfarë na lipset dhe ku po shkojmë?. Dhe
nëse u japim përgjigje këtyre pyetjeve, atëherë,
minimalisht, dëshmojmë se e kemi rrokur thelbin e
problemit, duke qenë njëkohësisht të bindur se deri në
realizim duhet shumë më tepër punë dhe mund.
Dhe nëse ndërgjegjësohemi për faktin se “Atdheu nuk është
thjesht toka dhe varret që të parët na lanë amanet, por
është toka që u kemi borxh brezave pasardhës”, atëherë
minimalisht kemi kuptuar se nuk duhet të lëshojmë asnjë
pëllëmbë, pavarësisht nga çmimi.
Dhe nëse “kombet po dehen ndër nacionalizma”, çka na e
dëshmojnë më së miri fqinjët tanë, atëherë ne duhet që të
dehemi me nacionalizmin tonë, sepse askënd nuk po shohim të
lëshojë qoftë edhe një copë atdhe, në emër të
kozmopolitizmit e globalizmit. Ndaj edhe ne nuk mund të
bëjmë ndryshe, përveçse të përmbushim idealet dhe amanetet,
qoftë edhe përjetësisht në luftë me destinin historik.
Fjalët e Himnit tonë “... se kombe shuhen përmbi dhe / por
Shqipëria do të rrojë / për të, për të luftojmë ne...”,
janë kuptimplote, janë sinteza e idealeve tona kombëtare,
janë mesazhi hyjnor adresuar bijve të shqipes, mesazh të
cilin Fishta i madh na e përcjell me vargjet: “Se kët vend
Zoti e fali, jo për shkja e malazez, turq, manovë e
lëkurazez / po për do djem sokola mali, që gjithë bota
shqiptarë i qujte / për ta gzu kta djal’ pas djali / gjersa
jeta mos t’u shujte...”.
Ju faleminderit!
Berisha dhe llastiqexhinjtë debatikas të opozitës
Nga Zamir GJURGJI
Në një mbledhje rutinë të qeverisë demokrate, kryeministri
Berisha ka shpalosur publikisht idenë se “... kthimi dhe
kompensimi i pronave duhet bërë mbështetur në tapitë e
pronave, që i përkasin periudhës para 7 prillit 1939”.
Duke artikuluar këtë lloj qëndrimi politik, ai dhe qeveria
e tij ndahen de facto (edhe pse jo ende de jure) nga
psikologjia “fikse” prokomuniste dhe nga ajo “mobile”
kripto-komuniste, ku Ligji 7501 vepron mbi tokën, ashtu si
Neni “55” vepronte mbi kokën.
Duke ndjekur hap pas hapi ditët e qeverisjes, parulla
elektorale e demokratëve “me duar të pastra”, po
zëvendësohet me atë funksionale “ne duam të bëjmë shtetin”.
E për të bërë shtet (synim jo vetëm elektoral i
legalistëve), demokratët e kanë tashmë të qartë se nuk
mjaftojnë vetëm “duart e pastra” – (ku një pjesë e
koalicionistëve qeveritarë e kanë përkthyer “të pastrojmë
duart si P.P-ja”) - por edhe këllqe të forta dhe mëndje të
ndriçuar, për ndarje të vrullshme nga e kaluara.
Një analizë më e thellë e bërë mes rreshtave të shprehjes
së z.Berisha, të bën me dije se ai, më shumë se për
pushtetin, mendon se si të mirë-administrojë shtetin, çka
është sa e rëndësishme, aq dinjitoze dhe frytdhënëse.
Me këtë qëndrim politik, kryeshtetari shqiptar i referohet
periudhës së qeverisjes monarkiste të Mbretit Zog (para 7
prillit të vitit 1939), duke vlerësuar e njohur njëherazi
të gjithë dokumentacionin zyrtar mbi pronësinë, si të saktë
dhe të drejtë.
Në këtë mënyrë, rikthimi i pronës legjitime ndaj Mbretit
Leka, birit të Mbretit Zog i Parë, pasohet edhe me një
gjest më fisnik: rikthimi i munguar në kohë i vlerësimit
real të shtetit unikal të Mbretit Zog, i cili, që pas 7
prillit 1939, u anatemua dhe denigrua vazhdimisht nga
trinija antikombëtare e totalitarizmit
fashisto-nazisto-komunist.
Edhe pse opozitarët socialistë i friken shumë këtyre
zhvillimeve politike, sa morale aq edhe ligjore - duke i
vënë “shkopinj sorosianë nën rrota” - demokratët, si
lokomotiva reale e zhvillimeve progresive, nuk duhet të
ulin shpejtësinë e lëvizjes drejt objektivave kardinale,
vetëm e vetëm se disa “vagonë kristian-republikanë,
teknikisht të pakolauduar”, nuk mund të ndjekin rrugën pa
kthim prapa, në binarët solidë të shtetit legal.
Përkundrazi, përshpejtimi i këtyre sipërmarrjeve politike,
është e vetmja mundësi reale që “treni” qeveritar të
mbërrijë në kohë e triumfalisht në stacionet e zgjedhjeve
lokale e presidenciale, edhe pse adoleshentët e politikës
(pro)socialiste, Velia-Rama-Majko, kanë marrë në dorë
krrabën me llastiqe, dhe përpiqen të qëllojnë fluturimthi
me guralecë “poçat e elektrikut”, kur “treni” të mbërrije
në stacion(e).
Përsiatje mbi aktin e themelimit të OKLL në Kongresin e
Zall-Herrit
Zogizmi, thelb i shqiptarizmës
Nga Astrit KOLA
Kongresi i OKLL, rithemeluar në Zall Herr 62 vjet më parë,
është ngjarja më rëndësishme në jetën e partisë sonë,
partia më e vjetër e pluralizmit dhe demokracisë
parlamentare shqiptare, parti që hodhi bazat e një politike
moderne properëndimore dhe të shtetit që u sendërtua si
produkt politik dhe institucional i një lëvizje politike që
rrokte interesa të gjera atdhetare e kombëtare, frymëzime
dhe aspirata të zjarrta për zhvillim dhe përparim shoqëror.
Për të mos krijuar modelin qeverisës të një partie-shtet,
për të ndihmuar në unifikimin e klasës politike rreth idesë
kombëtare dhe materializimit të saj në praktikë, nëpërmjet
ngritjes dhe konsolidimit të shtetit shqiptar, PLL nuk
funksionoi mirëfilltazi si e tillë gjatë periudhës
1924-1943. Por, pas Konferencës së komunistëve në Labinot
dhe sidomos pas Konferencës së Mukjes, kur u bë e qartë se
komunistët e kishin braktisur çeshtjen kombëtare, madje e
kishin shitur atë në këmbim të një pushteti kuisling
dhuruar nga armiqtë historikë të Shqipërisë, Rusia dhe
Serbia, paraardhësit tanë e panë të domosdoshëm
rithemelimin e Legalitetit.
NĂ« kushtet kur ishin krijuar 2 parti republikane dhe kur
pas luftës kishte gjasa të mos respektohej Statusi i
Konferencës së Londrës, Statusi i Kongresit të Lushnjes dhe
vendimi i Asamblesë Kushtetuese të 1 Shtatorit 1928 për
formën e regjimit, legalistët dhe mbretërorët shqiptarë
kishin arsye më shumë se kurrë të rikrijonin partinë që,
ndërmjet të tjerash, me mjete politike dhe rrugë
demokratike parlamentare, do të përpiqej të impononte dhe
siguronte mosndryshimin e formës së regjimit në Shqipëri,
pas lufte.
Por më vonë, për shkak të ndryshimeve shumë të shpejta të
situatës politiko-ushtarake dhe shfaqjes hapur të
simptomave të një lufte civile për pushtet, nga ana e
komunistëve, ky imperativ u fokusua në organizimin ushtarak
të Legalitetit, si njëri nga komponentët e organizimit dhe
objektivave politike.
Kjo ishte edhe arsyeja se përse OKLL ia besoi drejtimin
ushtarak një strategu të sprovuar si Abaz Kupi, i cili pos
të tjerash kishte raporte mjaft të mira me misionet
britanike që ishin vendosur pranë tij me në krye Bill
Maklinin, dhe që, në fund të fundit, përfaqësonin qeverinë
e Madhërisë së saj, sa kohë që edhe Familja Mbretërore me
Mbretin Zog ishin ftuar dhe strehuar si rezidentë në Angli.
Kjo ishte edhe arsyeja se përse komunistët u trembën aq
shumë nga rithemelimi i OKLL, çka shpjegon edhe fushatën e
ashpër shpifëse e denigruese të tyre kundër Mbretit Zog,
gjeneral Abaz Kupit dhe zogistëve.
Pas letargjisë së dimrit 1943, në pranverën e vitit 1944,
komunistët e dëshmuan qartë synimin e moslejimit me çdo
kusht të kthimit të ligjshëm të Mbretit Zog në fron dhe
planin e kobshëm të asgjësimit ushtarak të Legalitetit pas
Kongresit të Përmetit, vepër kjo e jugosllavëve që
udhëhiqnin PKSH dhe e tradhtarëve në krye të saj.
Në kushtet e reja nuk kishte alternativë tjetër përveçse
ballafaqimit ushtarak të padëshiruar nga legalistët, të
cilët gjithmonë kishin vënë interesat e vendit mbi
gjithçka. Por shmangia me çdo kusht e konfrontimeve
ushtarake, nuk mund të kishte jetëgjatësi të përhershme.
Pas të ashtuquajturit Inkursion të Divizionit të Parë
partizan në Veri, përplasja e armatosur u bë e pashmangshme
dhe në evitimin e saj nuk mundën të ndikojnë as misionet
aleate perëndimore.
Pas përplasjeve të ashpra midis komunistëve dhe legalistëve
në Mat, Krujë Dibër dhe në Malësinë e Tiranës, për zogistët
u bë e qartë se detyra kryesore mbetej mbrojtja nga
asgjësimi fizik, e familjeve të tyre dhe e popullit që i
pasonte.
Megjithatë, deri në fund Legaliteti bëri të pamundurën për
t’iu shmangur konfrontimeve ushtarake me komunistët.
Prandaj, në verën dhe vjeshtën e vitit 1944, objektivi
kryesor ushtarak i zogistëve u fokusua në goditjen e
okupatorit nazist, por fatkeqësisht, sikundër dëshmojnë
edhe Dejvid Smajli dhe Bill Maklini, komunistët në vend që
të sulmonin pushtuesit, godisnin pas shpine zogistët që
përgjakeshin me ta, sikundër ndodhi në Urën e Goles dhe
sidomos gjatë luftimeve për sigurimin e korridorit të
tërheqjes së gjermanëve, pra në segmentin e rrugës
Tiranë–Shkodër.
Fakti që masakrat e brigadave komuniste u fokusuan mbi
krahina dhe popullatë krejtësisht pa lidhje shpirtërore me
Ballin Kombëtar, është dëshmi e të vërtetës së madhe se
komunistët po godisnin ushtarakisht ato pjesë të popullit
shqiptar të lidhura ngushtë me Mbretin Zog dhe regjimin
mbretëror, në të gjithë Shqipërinë e Mesme e të Veriut.
Në përfundim të konfrontimit brenda territorit të
Shqipërisë londineze, komunistët bënë reprezalje të
përgjakshme ndaj zogistëve dhe simpatizantëve të tyre, të
cilat më pas i vazhduan gjatë gjithë periudhës së
pasluftës, deri në vitin 1953, kur masakrave të organizuara
me ekspedita ndëshkimore, ua zuri vendin lufta e klasave,
që për nga forma ishte më e sofistikuar dhe më selektive në
krahasim me vrasjet masive paraardhëse.
Në shikimin retrospektiv të së kaluarës së lavdishme të
OKLL për periudhën në fjalë, sot nga largësitë e kohës mund
të konkludohet me saktësi se: megjithëse në planin politik
OKLL ia doli të organizojë rezistencën kundër okupatorit;
ia doli të artikulojë ide dhe alternativa racionale e
atdhetare, që e demaskuan rëndë komunizmin; ia doli të
ndërkombëtarizojë luftën e zogistëve (pra legalistëve dhe
mbretërorëve) për liri, çka e dëshmojnë kronikat e pafundme
të Radio Londrës - në planin ushtarak kjo lëvizje nuk ia
doli dot të kryente detyrën më kryesore: përballimin me
rezistencë pasive të detyruar, të sulmeve ushtarake të
brigadave komuniste, çka, siç thamë më lart, rezultoi me
masakra të llahtarshme mbi legalistët dhe mbretërorët e
pafajshëm.
Përballë faturës së rëndë të gjakut dhe vdekjeve,
deklaratat e komunistëve të sotëm, se Legaliteti kurrë nuk
bashkëpunoi me okupatorët - janë cinike dhe tejet të
vonuara, ashtu sikundër mbetet pa vlerë pohimi i Enver
Hoxhës se “në planin kombëtar, propaganda nacionaliste e
Legalitetit dhe e Ballit, ishin superiore ndaj nesh dhe e
vunë në pozitë shumë të vështirë Partinë tonë komuniste, që
propagandonte internacionalizmin proletar dhe vëllazërimin
me popujt fqinjë, në vend të Shqipërisë etnike dhe
bashkimit kombëtar që propagandoheshin prej tyre,
propagandë kjo e reaksionit zogisto-ballist, që na prishi
shumë punë...”.
Në të gjithë këtë histori të lavdishme të OKLL, para dhe
pas LDB, pjesa më e dhimbshme është dhe mbetet mosruajtja e
raporteve efektive të bashkëpunimit me shtetet, lobingjet
dhe kanceleritë e vendeve demokratike perëndimore, çka po
të ishte bërë si duhet, nuk do të sillte aq pengesa për
njohjen e së drejtës legjitime të OKLL për t’u regjistruar
si parti politike që në fillimet e pluralizmit në Shqipëri.
Nëse aleatët tanë perëndimorë, para dhe pas luftës, do të
kishin ndikuar dhe imponuar legalizimin e OKLL, sot do të
flisnim ndryshe dhe produkti ynë politik nuk do të ishte
thjesht evokimi i së kaluarës së lavdishme, por realizimi i
objektivit politik të çdo partie, që është marrja e
pushtetit dhe jetësimi në praktikë i programit dhe
alternativës qeverisëse.
Megjithatë, realiteti është ky që është dhe që sot e njohim
të gjithë.
Sot legalistët dhe mbretërorët shqiptarë nuk kanë vetëm të
drejtën morale dhe historike për rikujtimin e veprave dhe
kontributeve të lavdishme e atdhetare të së kaluarës, por
mbi të gjitha kanë një parti sikundër është PLL, me një
anëtarësi të devotshme dhe me një lidership që për nga
përmasat e formatit politik, ideor e intelektual, është
plotësisht i aftë të përmbushë idealet e mëdha të zogizmës
dhe shqiptarizmës.
Sot para legalistëve dhe mbretërorëve, para veteranëve të
lavdishëm të Legalizmës dhe Zogizmës, si dhe para eshtrave
të martirëve që u flijuan, ne pasardhësit premtojmë se PLL
nuk do të ndalet në rrugën e saj.
PLL do të rritet dhe do të shndërrohet në një shpresë të
vërtetë të shqiptarëve. Ajo kurrë nuk do të shuhet. Idealet
dhe gjaku i martirëve të zogizmës, nuk do të bjerren.
“Revolucioni i vonuar demokratik” i ditës së shenjuar
“Festat” e Nëntorit dhe dilema ndër vite
Nga Zamir GJURGJI
Muaji nëntor i këtij viti, ka rikthyer përsëri në vëmendje
të publikut shqiptar, një dilemë të kahershme. A është apo
nuk është festë kombëtare 29 Nëntori?!
Përgjithësisht, debati zhvendoset në rrafshin e mbledhjes
së fakteve të (pa)kundërshtueshme nga njëra palë, se
gjermani i fundit e paskërka lënë Shqipërinë më 29 Nëntor
1944, ndërkohë që një pjesë tjetër, hedh poshtë argumentin
se kjo gjë nuk ka ndodhur më datë 29, por më 28 nëntor,
duke marrë për argument shtypin e asaj kohe, ku vetë kreu i
komunistëve shqiptarë E. Hoxha, është shprehur në Berat më
28 nëntor të vitit 1944 se “... 28 Nëntori është ditë e
shenjtë; dita e indipendencës dhe dita e çlirimit”, ndërsa
më 9 nëntor të vitit pasardhës, po vetë E. Hoxha, në Përmet
është shprehur se “... 29 nëntori do të jetë festë
kombëtare e Çlirimit të Shqipërisë”.
Nëse do të merrnin në shqyrtesë dy shprehjet e vetë E.
Hoxhës - nga Berati në Përmet - me një analizë të thjeshtë
morfologjiko-sintaksore, do të vërenim disa “evoluime”
gjuhësore:
1) Në fjalën e tij të nëntorit të vitit 1944, folja “me
qenë”, meqenëse mungon, vetëkutpohet se është në kohën e
tashme, mënyra dëftore; ndërsa në fjalën e nëntorit të
vitit 1945, fojla “me qenë” është në kohën e ardhshme të
thjeshtë.
2) Në fjalën e vitit 1944 mungon kallëzuesori “festë”,
ndërsa përdoret ai “ditë”.
3) Në Berat, mungon përcaktori me përshtatje “kombëtare”,
ndërsa në Përmet ky i fundit është përdorur si ndajshtim.
Sa më sipër, duke nisur analizën sintezë të “Enverit për
Enverin”, në pikën e parë na del se 29 Nëntori nuk ka qenë
njohur si datë në vitin 1944, prandaj edhe në vitin 1945
vendoset për t’u njohur në të ardhmen (pas 9 nentorit
1945); në pikën e dytë, ku fjala “ditë” është zëvendësuar
me fjalën “festë”, Enver Hoxha ka dalë nga rrafshi i
konstatimit historik të ditës së çlirimit, në zonën e
përcaktimit festiv të saj; ndërsa në pikën e tretë, kësaj
ditë të shndërruar në festë, i ka dhënë edhe status
kombëtar.
Do të kuptonim shumë më tepër, nëse do t’i ktheheshim edhe
politikës ekonomike të ndjekur gjatë viteve 1944-1945, ku
gjatë kësaj periudhe, edhe monedhat lek-dinar u njësuan në
favor të dinarit.
Derivatet e totalitarizmit nuk kanë festë kombëtare
Fashizmi, nazizmi dhe komunizmi njihen tashmë botërisht si
tre brinjët e të njëjtit trekëndësh, atij totalitar.
Përgjatë gjithë këtyre dekadave, studiues të shumtë të
kësaj “trinie” ideologjike, kanë përcaktuar qartë e pa
kundërshti, se të treja këto ideologji kanë të përbashkët
fobinë ndaj nacionaliteteve dhe demokracisë në këto nacione
(kombe).
Konkretisht:
Fashizmi mohon qënien e kombeve, duke cënuar
drejtpërsëdrejti simbolin e një kombi, e duke i mbivendosur
dy-sëpatat.
Nazizmi lufton ekzistencën e kombeve të tjera, duke i dhënë
përparësi “blau blud”-it, e duke i paraprirë kësaj
veprimtarie me anë të cënimit të flamujve kombëtarë, me
mbivendosjen e kryqit të thyer (svastikës).
Komunizmi vetëmohon kombin “… komunistët nuk kanë atdhe”…,
duke rendur pas kësaj ideologjie me anë të çnderimit të
flamujve kombëtarë, me mbivendosjen e yllit me pesë cepa.
Në këtë mënyrë, komunistët (idhtarët e komunizmit) të cilët
morën dhunshëm pushtetin në vitin 1944, nuk kanë as edhe
një të drejtë morale që të caktojnë ditën e fitores së tyre
ideologjike si festë kombëtare. Pasi, internacionalizmi, si
kundërshtar i flaktë dhe mizor i nacionalizmit, nuk mund
t’i caktojë këtij të fundit ditën e festës.
Nëse historianët dokumentojnë me fakte të pakundërshtueshme
se gjermani i fundit ka lënë Shqipërinë më 29 nëntor,
atëherë kjo datë shërben vetëm për t’u përkujtuar si ditë e
shënuar nga ndjekësit e kësaj ideologjie, ashtu siç kanë të
drejtën e tyre të festojnë 16 tetorin dhe 8 Nëntorin. Por,
kurrsesi këto tre data nuk kanë të bëjnë fare me kombin
shqiptar, e çka më shumë, ta detyrojnë këtë të fundit të
festojë ditën e lindjes së kreut shqiptar të
internacionalizmit-proletar, ditën e lindjes së partisë së
internacionalizmit proletar dhe ditën e parë të pushtetit
të po kësaj partie, si ditë – festash kombëtare.
Nga ana tjetër, u takon historianëve dhe vetëm historianëve
shqiptarë të lënë në fuqi ditën e pavarësisë edhe si festë
kombëtare, apo të kërkojnë fakte dhe arsye bindëse, për të
gjetur e caktuar një ditë nga historia unikale dhe
dinjitoze e shtetit monarkist shqiptar (gjatë viteve
1928-1939), kur Shqipëria ka qënë shtet-komb i shqiptarëve
dhe për shqiptarët.
Sa për rikujtesë historike
Pasaporta e viteve 1924-1939, kur në pushtet ishte Mbreti
Zog, ka në faqen e saj të parë:
-T’a dijsh dhe të jésh i sigurtë, se fatbardhësija dhe
lumtunija e jote gjindet në Shqipni e cila t’ep ndér e të
fal emnin Shqiptar.
-Rueje mirë karakterin komtar dhe kryenaltësìn shqiptare;
bindju ligjvet dhe urdhnavet të vendit kudo që të jesh.
-Çdo Shqiptar âsht vllau i Yt: nderoje kurdoherë dhe
ndihmoje kur të ket nevojë.
-Mos e përbuz gjuhën e nânës s’ate, tue folë në gjuhë të
huej kur nuk âsht nevoja.
-Ndero flamurin e atdheut tând: kush nuk nderon Shêjin e
komsis, shnderon vehten e vet.
-Dashunija për atdhe ndihet mâ tepër në mërgim, prandaj
ketë dashuni rueje edhe kur të këthejsh në vendin t’and.
Ndërsa më tej - shfaqen në sfond shqiponja dykrenash me
përkrenaren e Skënderbeut.
Zamir Gjurgji
Memorandumi i Kuvendit të Kosovës, një hap para për
Shqipërinë
Padrejtësitë ndaj Kosovës s’duhet të vazhdojnë
Pavarësia e Kosovës, e miratuar nga Kuvendi i saj dhe i
Shqipërisë, është dëshira e tërë kombit shqiptar, që i
shpreh botës, veçanërisht Europës, se padrejtësive të bëra
në kurriz të saj duhet t’u thuhet “mjaft”.
Sadoqë qarqet shoviniste dhe ekstremiste përpiqen ta
pengojnë atë, duke luajtur të gjitha gurët për të përfituar
edhe një mundësi të vetme nga konjukturat ndërkombëtare,
pavarësia i takon kosovarëve, pasi kanë derdhur gjak për
të.
Një kontrast i thellë duket në dialogjet diplomatike
Drashkoviç-Mustafaj, ku serbët kërkojnë çdo lloj zgjidhje
përveç Pavarësisë së Kosovës, pasi këtë të fundit e shohin
si zgjidhje të papranueshme dhe destabilizuese për rajonin.
Dëshira e shprehur nga të gjithë shqiptarët për Pavarësi të
plotë të Kosovës, i tregon hapur gjithë opinionit
ndërkombëtar, se kombi shqiptar kërkon të jetojë i lirë e
me të drejta të barabarta, si të gjithë shtetet e tjera të
botës së civilizuar.
Ka ardhur tashmë koha që padrejtësive shekullore të bëra
nga serbët ndaj shqiptarëve, t’u vihet kufiri tek thana,
pasi nga këto padrejtësi, kombi shqiptar ka vuajtur shumë,
qytetarë të tij janë detyruar të emigrojnë dhunshëm në
shtete të tjera të botës. Ndërsa serbët pretendojnë ende që
Kosovën ta mbajnë nën thundrën e tyre, edhe pse shtiren si
demokratë europianë dhe komb i qytetëruar! Por ujku qimen e
ndërron por zakonin nuk e harron. Serbët duket se ende nuk
kanë zënë mend nga “grushti i hekurt” që pësuan nga
ndërkombëtarët, kur u përmbys klika shovene e genocidale e
Sllobodan Millosheviçit. Megjithatë, mentaliteti i serbëve
nuk ndryshon shumë nga mentaliteti millosheviçian, pasi
janë vetë serbët e sotëm, me dhe pa pushtet, që nuk
dorëzojnë kriminelët e luftës Mlladiç e Karaxhiç në
Gjykatën e Hagës. Kjo gjë tregon se ata aprovojnë, edhe në
heshtje, genocidin e kryer ndaj popullsisë së pafajshme
kosovare. Prandaj, serbët nuk meritojnë të trajtohen si
popull i civilizuar dhe demokrat, për të pasur në dorë
fatet e Kosovës dhe kosovarëve.
Apollon Muhaxhiri
Sekretar i Shoqatës së të Moshuarve të Vetmuar të
Shqipërisë
__________________________________________
Yahoo! DSL – Something to write home about.
Just $16.99/mo. or less.
dsl.yahoo.com
------------------------ Yahoo! Groups Sponsor --------------------~-->
Give at-risk students the materials they need to succeed at DonorsChoose.org!
http://us.click.yahoo.com/wlSUMA/LpQLAA/E2hLAA/KDuplB/TM
--------------------------------------------------------------------~->
Mos harroni se Shqiperia eshte nje Liste Informative Kombetare Shqiptare, synon ne nxitjen e atedhedashurise, tek te gjithe shqipetaret pa dallim Krahine, besmi dhe seksi. Me parimin : Me i nderuari nga ne eshte nacionalisti dhe ai qe i sherben me shume ceshtjes kombetare... Per kete jane te ftuar te gjithe shqiptaret kudo qe ndodhen qe te kontribojne ne rritjen e atedhedashurise nder shqiptar...
Per tu anetaresuar ne liste e-mailo:
shqiperia-subscribe <at> yahoogroups.com
Per ta lene listen e-mailo:
shqiperia-unsubscribe <at> yahoogroups.com
==================================================================
Yahoo! Groups Links
<*> To visit your group on the web, go to:
http://groups.yahoo.com/group/shqiperia/
<*> To unsubscribe from this group, send an email to:
shqiperia-unsubscribe <at> yahoogroups.com
<*> Your use of Yahoo! Groups is subject to:
http://docs.yahoo.com/info/terms/